Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Tregtinë diskutoi sot në parim projektbuxhetin e vitit 2021 për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
I pranishëm në këtë mbledhjen e komisionit ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi prezantoi përpara deputetëve prioritetet e dikasterit që drejton për vitin e ardhshëm, duke theksuar se “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka për qëllim kthimin e Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik, cilësor dhe të qëndrueshëm”.
Sipas ministrit “me përfundimin e investimeve në Rrugën e Arbrit, investimeve të Rrugës së Kombit dhe të akseve të cilat lidhen me zonat më të rëndësishme turistike, me zbehjen e pandemisë botërore, synimi kryesor është turizmi”.
“Sa i përket zonave të mbrojtura dhe prioriteti që kemi për to, po përfundojmë dhe kemi përfunduar tashmë hartizimin, transformimin e tyre në destinacione turistike, dhe për promovimin e tyre kemi nevojë për buxhet”, theksoi ndër të tjera Klosi.
Më tej, ministri u ndal tek mbrojtja e pyjeve dhe e mjedisit, që sipas tij është kryefjala botërore dhe Shqipëria s’mund të ngelet pas.
Pas prezantimit të ministrit Klosi, deputetët e komisionit vijuan me diskutime dhe pyetje në lidhje me projektbuxhetin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.