Kryetari i Bashkisë Mat Agron Malaj ka kontaktuar sot pasdite me ekipin e futbollit Burreli.

Kryebashkiaku tha se ky takim kishte dy qëllime. Së pari Malaj falenderoi donatorët që kanë financuar për mjetet, veshjet, dhe terrenet sportive dhe së dyti, ai nënvizoi se disa sponsorë kanë rënë dakort të ndihmojnë financiarisht për të paguar tre trajnerë të moshave, deri atëherë kur bashkia të ketë mundësi t’i financojë teknikët e të rinjëve.

“Ne, tha Malaj, synojmë të ndërtojmë Akademinë e Futbollit, në mënyrë që ngritja e ekipeve të futbollit të nisë që në shkollë. Synojmë ta masivojmë këtë lojë të bukur, duke aktivizuar sa më shumë nxënës të shkollave të qytetit dhe fshatrave. Gjatë kësaj periudhe na kanë ndihmuar shumë donatorë dhe të tjerë kanë premtuar se do t’na mbështesin që Burreli të ngjitet në Superiore”.

Kryetari i Bashkisë Mat falenderoi administratorin Bajram Ballabani, teknikun Samuel Nikaj, futbollistët që kanë nënshkruar kontratë me Burrelin si dhe trajnerët e moshave për gatishmërinë e treguar për kthimin e dinjitetit të futbollit matianë. Sakaq ai premtoi se investime të rëndësishme do të kryhen në terrenet sportive.