Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, deklaroi se listat në zgjedhje janë 100 për qind të hapura.
Balla theksoi se është marrë shembulli më i mirë në Europë e është sjellë në Shqipëri.
“Më 30 korrik, nuk ka pasur asnjë parti që të jetë kundër hapjes së listave. Duhet të urojmë KQZ-në e re. Ne kemii marrë shembullin më të mirë në Europë dhe e kemi sjellë në Shqipëri. Më 5 tetor, Kuvendi zgjodhi se cili është sistemi më i mirë në Europë për zgjedhjet.
Ajo që kemi bërë është që kemi marrë ligjin elektoral kroat dhe e kemi vendosur në Shqipëri. Listat janë të hapura, kjo gjë nuk diskutohet. Ne si PS si parti e madhe nuk na interesojnë listat e hapura, por ne i kemi pranuar”, tha Balla.
Taulant Balla vlerësoi se edhe PD është dakord me këtë sistem nën tavolinë. “Mund të kemi listë nga i pari tek i 14-i, i katërmbëdhjeti zgjidhet deputet, ndërsa i pari mund të mos bëhet deputet. Në Elbasan për shembull, nga 14 deputetë, mund të ndodhë që shtatëshja e dytë të futet në parlament, ndërsa shtatëshja e parë mund të ngelet jashtë Kuvendit. PD është dakord poshtë tavolinës me këtë sistem. Ky është një sistem që unë nuk gjej arsye pse PD të jetë kundër.
Partia Demokratike po qan me lotët e dikujt tjetër për këtë sistem, nuk i ka lotët e veta. Ke dy vota gjithsej, një për partinë dhe një për deputet. I ka shanset që i pari të dalë i fundit dhe i fundit të dalë i pari”, u shpreh Balla.