Nga Elda SHABANI

 

Edhe pse qesh dhe bëj si klloun

poshtë maskës unë kam veshur trishtim.

Lotët e mi po bien si shi nga qielli

Po qaj për të apo për veten?  

Beatles

Pak njerëz e vlerësojnë magjinë e cirkut, kostumet me ngjyra vibruese, pëlhura të buta dhe një dekor i zgjedhur që i shndërrojnë interpretuesit në objekte dhe në të tjera pamje të pazakonta për të cilat as ne nuk do të mund t’i ëndërronim – Gjithçka, nga llambadarët tek ëmbëlsirat për ditëlindje, cirku ishte një vend magjik, një vend i gëzueshëm për njerëzit i cili i përket një formë arti bashkëkohor me një audiencë bashkëkohore me një sy bashkëkohor dhe që duhet të jetë i kohës së tij. Pierrot, kllouni i trishtuar, një natyrë  melankolike me fytyrë të bardhë dhe një dashnor i pasuksesshëm, me kostumin e tij me këmishë e pantallona të bardha dhe të gjera, është një personazh komik i pantomimës dhe i cirkut, i cili doli në shekullin 16-të. Ky kllloun si shumë të tjerë si Harlequin, Pantalone, Brighella, Pulcinella, Columbine, përhapën famën e tyre në të gjithë Evropën. Ata ishin pjesë e “Commedia dell’arte”, një lloj teatri popullor italian, shfaqjet e të cilit u krijuan nga dialogu improvizuar në  rrugica ose sheshe. Commedia dell’Arte lulëzoi gjatë gjithë shekullit të shtatëmbëdhjetë në Francë dhe më pas u zhvendos në skenat evropiane jashtë Italisë dhe Francës.

Në vitet 1800 Pierrot mori tiparet e një kllouni të trishtuar, një rival i pafat i Harlequin i cili, së bashku me kllounët e tjerë mbizotëruan në botën e artit, duke u shndërruar nga një klloun skenik në një burim poetik të figurës. Te dy, mik e rival udhëtuan së bashku në artet e tjera, duke u zhvilluar në letërsi dhe pikturë si një emblemë apo muzë. Shkrimtarët përfshirë Flaubert në veprat e tyre e krahasuan të qeshurën e Pierrot me të qeshurën e shpirtit. Pierrot me një gjest të mjerueshëm të lëvizjes së krahëve të tij  të hollë e të gjatë është një Pierrot metafizik, abstrakt, i cili me pavetëdijen e tij ai bën modelin e showman-it. Në Angli, kllounët e parë të skenës profesionale influencuan trupën teatrale të William Shakespeare me aktorët e njohur William Kempe dhe Robert Armin. Të dy ishin kllounët më të famshëm të epokës Elizabetiane.

Kemp solli disa nga personazhet më të njohur të Shekspirit, si Bottom në komedinë “Ëndrra e një natë vere”. Ndërsa  Pierrot i sjellshëm, i pëlqen të qajë ëmbël për asgjë, thjesht duke parë Hënën, ndërsa Harlequin, i cili mund të ketë marrë emrin nga demoni Ellekin nga legjendat etruske, shakatë satirike të tij ishin e më të egra dhe më helmuese. Për shkak të ngjyrave të gjalla të kostumit si e verdha, bluja, e kuqja  dhe jeshilja, ai gëzoi një pamje shumë tërheqëse. Në mesin e shekullit të 19-të, cirku në  llojin e spektakleve, u bë edhe më i pavarur dhe gjatë epokës së Art të Ri, Harlequin dhe Pierrot u bënë figura ikonike. Imazhet e tyre morën një kuptim mistik, duke tejkaluar kufijtë kohës së tyre e duke u bërë një lloj fenomeni i teatrit evropian. Evolucioni i stilit të cirkut me kostumin Pierrot apo Harlequin nga arti komedian tek e ekstravagantja Sciaparell dhe David Bowie apo nga piktura tek  kostumet maskarade,  nxjerr në pah transformimin e vlerave shoqërore dhe faktin se e vërteta dhe eleganca vjen gjithashtu edhe përmes së qeshurës dhe shakasë.

Harlequin dhe Pierrot të cilët mbajtën skenën evropiane për dy shekujt e parë të historisë së tyre, u shfaqën në kryeveprat si “Aventurat e Pinokios” personazhi i Italianit Carlo Collodi duke depërtuar edhe  në botën magjike të kukullave. Kush nuk e njeh kukullën italiane prej druri, Pinocchio. Njësoj si kllouni Pierrot, Pinokio është naiv, një shpirt  pasionant, ëndërrimtar dhe i dashuruar me jetën. Për artistët modern Pierrot nuk ishte budalla por ai shihej si njëri prej nesh. Një revolucionar, i cili përmes absurditetit të jetës lufton  për të siguruar një vend në shoqëri. Dhe lëvizjet e më vonshme artistike kulturore e panë atë si një shok të vetmuar, me ndjeshmëri të lartë shpirtërore, ku miku i tij i vetëm është Hëna e largët;  Me pak fjalë, Pierrot u bë nje komik absolut i njohur i shekullit XIX-të dhe fillimit të XX-të  i cili ka marrë përsipër të zotërojë publikun përmes të qeshurës. “Unë jam Pierrot, unë jam njeri prej jush” do të shprehej  David Bowie.

Në shek. XX-të Pierrot luajti një rol kryesor jo vetëm në “zjarrin” e cirkut por edhe në “zjarrin”e  pikturës, poezisë, muzikës, filmit por edhe modës. Kllouni ishte një figurë kryesore në çdo formë arti përveç arkitekturës. Në baletin Petrushka të Igor Stravinsky (1911), kllouni tradicional Pulcinella vesh zemrën e Pierrot. Figura e kllounit në industrinë e filmit ( pa zë), e arriti kulmin me karakterin e pavdekshëm të “endacakut të vogël” të Charlie Chaplin, me rrobat e tij të vjetra, dhe ecjen karaktaristike. Një hero i dashur komik i cili e konceptoi personazhin, sipas fjalëve të Chaplin-it, si “një Pierrot”, një endacak, një zotëri, një poet, një ëndërrimtar, një shok i vetmuar romantik dhe aventurier.

Në shekullin e 20-të, Pierrot u bë imazhi i idealizuar i artistit të vuajtur, të tjetërsuar dhe melankolik. Kostumi i tij i bardhë sugjeronte pafajësinë; fytyra e tij e bardhë me zbehtësinë e saj si kufoma sugjeronte vdekjen. Ai u bë një subjekt i preferuar i pikturës moderniste. Pierrot dhe Harlequin pushtoi artet pamore: e shohim tek Paul Cézanne  ( 1888); Pikaso me Pierrot dhe Columbine (1900).

Pierrot u bë një figurë e kanonizuar brënda muzikës klasike të shekullit XX-të me Pierrot Lunaire të Arnold Schoenberg. Në muzikë Pierrot ka ushtruar ndikimin e tij gjithashtu në muzikën pop: Björk, një admiruese e  zjarrtë e Schoenberg këndoi Pierrot Lunaire ndërsa David Bowie pasi studioi teatër u shfaq si Pierrot në videon e këngës së tij të vitit 1980, “Ashes to Ashes”.

Kllouni tradicional dhe stili i cirkut ka frymëzuar gjithashtu modën në fillim të shek 20-te. Koleksioni i stilistes italiane Elsa Schiaparelli të vitit 1938 shënjoi për  historinë e stilit të cirkut një epokë e art. Ajo  kishte një bashkëpunim shumë të ngushtë me artistët e kohës si Salvadore Dali. Në koleksionin e saj të Cirkut, u vunë re elemente nga arena e cirkut si kuaj, elefant, klloun e shumë figura të tjera të cilat erdhën në një stil surrealist. Shume shpejt vitet para të Luftës së Dytë Botërore, kostumi i tij dominoi në kopertinat e revists së modës,si edhe në shfaqje e spektakle ku moda performonte si art dhe ekzistonte  një vijë e hollë ndarëse midis Houte Couture dhe Kostum Maskarade.

 

 

Shpirtrat e së kaluarës të arenës së cirkut të dominuar nga kllouni Harlequin dhe Pierrot kanë gjallëruar shumë koleksione të tjera të stilisteve të kohës postmoderne si Vivienne Westwood dhe Givenchy. Pierrot personazh, i cili i mungonte talenti, arsimimi, inteligjenca, pasuria, statusi, fuqia, ambicia mund të përplaset në mënyrë të pamenduar përmes absurditetit të jetës dhe prapëseprapë të përfundojë i lumtur. Pikerisht ky personazh kaq kompleks vazhdon të magjeps dizajnerët dhe artistët me të njëjtën intesitet edhe sot. Në fund të fundit kohët ku sot jetojmë janë kohëra të errëta por që ende ka magji për të zbuluar e për të shpresuar. Koleksioni i pranverës të Christian Dior, Moschino si dhe koleksionet të vjeshtës 2020 sollën përmes syrit të cirkut si dhe stilit surrealist të Man Ray dhe Salvador Dali, një reflektim të realiteteve tona aktuale, një klimë të trazuar  si dhe fuqinë e modës për ta kthyer atë në një shfaqje dhe arenë magjike cirku.

VIKTOR & ROLF HAUTE COUTURE FW19