Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në rubrikën e pyetjeve të ngritura nga qytetarët se sa preken fëmijët dhe a duhet të mbajnë maskë, ka publikuar videomesazhin e anëtares së Komitetit Teknik të Ekspertëve, Prof. Gjeorgjina Kule. Prof. Gjeorgjina Kule thotë maska është një mjet mbrojtës edhe për fëmijët dhe rekomandohet për fëmijët mbi 6 vjeç të cilëve mund t’u shpjegohet rendësia e maskës.
“Maska është një nga mjetet mbrojtëse shumë të rëndësishme edhe për fëmijët e vegjël. Mosha e rekomandueshme që fëmijët të mbajnë maskë është 6 vjeç e sipër. Sepse është një moshë që fëmijëve mund t’u shpjegohet për rëndësinë e maskës, për faktin pse duhet mbajtur dhe po kështu mund të kombinohet në formë lojërash apo maska me personazhe të përrallave apo të botës së tyre, për ta bërë atë pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme”, thotë Prof. Kule.
Në videomesazhin e shpërndarë nga Ministrja Manastirliu, Prof. Gjeorgjia Kule thotë se maska është një mjet i hershëm i mbrojtjes ndaj sëmundjeve infektive dhe që ka vërtetuar prej kohës efikasitetin e tij.
“Maska është një mjet i vjetër mbrojtës ndaj shumë sëmundjeve infektive dhe i domosdoshëm për sëmundje që përhapen me anë të spërklave të ajrit apo sëmundjeve aerogene. Nuk është një mjet i ri. Thjesht po vëmë në përdorim një mjet që ka ekzistuar prej kohës dhe që ka vërtetuar prej kohësh efikasitetin e tij”, thotë Prof. Kule.