Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur letrës së dërguar nga presidenti Ilir Meta në lidhje me rëndimin e situatës me pandeminë e koronavirusit.
Me anë të një status në Twitter, Rama i ka kërkuar presidentit të mos përfshihet me menaxhimin e pandemisë por ta lëeë atë në dorën e ekspertëve.
Gjithashtu Rama nuk i harroi as disa këshilla për kreun e shtetit, duke i kujtuar se duhet që të dalë me maskë dhe për të njëjtën gjë të ‘sinjalizojë’ edhe partinë që drejtonte para pak kohësh, duke nënkuptuar LSI-në.
Reagimi i plotë:
Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia, mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh! Ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit. Rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta! Ministrja e Shëndetësisë meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse!