Presidenti Ilir Meta nuk u është ndarë qokave me lëshimin e nënshtetësive shqiptare për njerëz anonimë dhe personazhe të lidhur me histori krimi, korrupsioni dhe këngëtarë damash, deri në orët e fundit të skadimit të ligjit të vitit 1998, duke përdor gjithnjë në mënyrë abuzive një hapësirë në këtë ligj, ku në raste të veçanta parashikohet dhënia e shtetësisë, edhe pa plotësuar kushtet dhe pa ndjekur procedurat, nëse kërkuesi përbën interes kombëtar për Shqipërinë, pra është personalitet i shquar. Në 13 tetor 2020, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi ligjit të ri, i cili i jep fund historisë së dhënies së nënshtetësive si të ishin tesera partie, Presidenti Ilir Meta, me dekretet nr. 11779 dhe 11780, ka pajisur me nënshtetësi shqiptare 37 persona të tjerë, me procedurë të jashtëzakonshme dhe pa zbatuar protokollin e sigurisë, me pretendimin se janë ‘asete kombëtare’.

Në 29 shtator 2020 është botuar në Fletoren Zyrtare ligji i ri nr. 113/2020, për dhënien e nënshtetësisë, i miratuar fillimisht në korrik 2020, i kthyer nga Ilir Meta në gusht dhe i miratuar sërish nga Kuvendi, pa asnjë ndryshim në shtator 2020. Ligji merrte fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pikërisht në 14 tetor, ndërsa Meta ka firmosur dekretet në 13 tetor, duke i shpëtuar përfituesit nga procedura e verifikimit që parashikon ligji i ri. Ashtu si lista me 382 emra të botuar nga Shqiptarja.com., edhe listat e fundit, përmban tre-katër personalitete që e meritojnë vërtetë shtetësinë pa procedura të stërzgjatura, ndërsa pjesa tjetër janë njerëz anonimë dhe personazhe të implikuar në skandale.

Konkretisht, në 13 tetor 2020, Ilir Meta i ka dhënë me urgjencë nënshtetësinë shqiptare si ‘aset kombëtar’, Alban Shalës, një militant i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i arrestuar për manipulim të votave në Runik të Skenderajt. Në emër të interesit madhor kombëtar, Ilir Meta u ka dhënë shtetësinë edhe gjyqtarëve Lumni Sallauka, Arsim Hamzaj dhe Valon Totaj. Pa zbatuar procedurën e rregullt ligjore, Meta i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare edhe Valdet Gjinovcit, kreu Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, i lakuar në Prishtinë pas zbulimit të skandalit të hyrjes së mishit jashtë standardeve në Kosovë.

Edhe në këtë listë nuk mungojnë këngëtarët e dasmave dhe tallavasë, të cilët sipas Ilir Metës janë ‘asete kombëtare’ dhe ‘heronj’. Ata janë Granit Hyseni, këngëtar dasmash, Afërdita Ramiz Janova, (Demaku), këngëtare dasmash dhe tallavaje si dhe Shkëlzen Morina këngëtar. Ilir Meta i ka dhënë nënshtetësinë në limitet e skadimit të ligjit të vjetër edhe Arian Mavriqit, vrojtues shpendësh.

Qokat e fundit të Ilir Metës rrëzojnë edhe një herë reagimet e Presidencës kundër investigimit të Shqiptarja.com mbi skandalin e dhënies së nënshtetësisë, duke pretenduar se përfituesit nënshtetësisë me procedurë të jashtëzakonshme dhe pa plotësuar kushtet ligjore janë ”familjarët e Dëshmorëve të UÇK-së dhe artistët e intelektualët e spikatur shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Diasporë”.

E vërteta rezulton se në listën e gjatë të emrave që Ilir Meta i ka pajisur me nënshtetësi në bazë të pikës 7 të nenit 9 të ligjit, ka disa personalitete shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia që e meritojnë nënshtetësinë dhe justifikohet zbatimi i kësaj pike. Por, mbi 90 % e kësaj liste përbëhet nga persona anonimë dhe njerëz të dyshimtë, të cilëve u është gjendur Ilir Meta, për të marrë nënshtetësinë shqiptare dhe për ta përdorur për qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me interesin kombëtar të Shqipërisë.

Ligji për shtetësinë i vitit 1998, në nenin 9, parashikon që shtetësinë shqiptare mund ta fitojnë personat që kanë banuar ligjërisht në Shqipëri, në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se 5 vjet, kanë një banesë, kanë të ardhura të mjaftueshme, të mos kenë qenë të dënuar me jo më pak se 3 vjet heqje lirie dhe se pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurimin dhe mbrojtjen e Shqipërisë.

Pika 7 i nenit 9, bën një përjashtim për raste shumë të veçanta, duke parashikuar që “Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar”.

Edhe rastet e veçanta, kjo pikë i ka kushtëzuar me zbatimin e pikës 6 të nenit 9, e cila parashikon zbatimin e protokollit të sigurisë dhe për rrjedhojë vënien në lëvizje të Ministrisë së Brendshme, e cila ka kapacitetet për të kryer verifikime.

Nga investigimi i Shqiptarja.com, Ilir Meta ka shkelur në çdo rast pikën 6 të nenit 9 të ligjit si dhe ka abuzuar në mënyrë flagrante me pikën 7, duke u dhënë nënshtetësinë personazheve të dyshimtë, të cilët i ka paraqitur si familjarë dëshmorësh, heronj dhe personalitete të kombit.

Ndërkaq, ligji i ri që ka hyrë tashmë në fuqi, i jep fund kësaj historie, pasi parashikon ngritjen e një strukture të posaçme në Ministrinë e Brendshme për verifikimin e personave që kërkojnë nënshtetësi si raste të veçanta. Pikërisht për këtë arsye, Meta kundërshtoi ligjin e ri, duke e kthyer mbrapsht me dekret. (Shqiptarja.com)