Nga Ardit Rada
Ilir Meta e ka marrë me shpatë të madhe betejën politike që nuk është e institucionit për të cilin është zgjedhur. Është thënë dhe stërthënë se nëse Presidenti ka ambicie personale për t’u bërë qoftë edhe mbret, mund ta lërë me dëshirën e tij karrigen te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ndryshe, një institucion si KLSH-ja fjala bie, mund t’i hyjë politikës aktive dhe te pozicionohet në istikamin e X kampi politik. Dhe ky shembull është më legjitim sesa Presidenti që ka gjithsej 12 nënpunës në organikë dhe që ruhet e gëzon privilegje nga Garda e Sandër Lleshajt. Po, po! Kaq qesharake dhe ilegjitime është i gjithë opozitarizmi që ofron sot Presidenti, që edhe frymëzimin e gjen tek të rënët në rrethana të qarta apo jo.
Për t’i dhënë rëndësi ekstra rolit të tij të përcaktuar në Kushtetutë, Ilir Meta ka kohë që luan me kartën se ‘çfarë nuk ndalohet në ligj, lejohet’. Me ç’dekrete dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese ai ia hodhi absurdeve që shkaktoi vitet e fundit duke fyer Kuvendin dhe partnerët ndërkombëtarë. Për Ilir Metën asgjë nuk ka rëndësi aq kohë sa burgu është dera më e largët që ai sheh. Dhe kjo për shkak të formës që u kanë dhënë ligjeve ndër vite Ilir Meta dhe shokët e tij të politikës 30-vjeçare.
Mbrëmjen e së hënës, ai gënjeu hapur për Mujo Ulqinakun kur tha se i ka dhënë dekoratën më të lartë dhe këtë e bëri se ishte harruar nga diktatura komuniste. Ajo diktaturë President, ka bërë së paku tre filma për Mujon, një monument në Durrës dhe ndonjë emër shkolle. Por Ilir Meta në fakt i bën nder të madh shumicës së shqiptarëve kur i kundërvihet diktaturës. Personalisht uroj të bëhet ndonjëherë referendum edhe të marrim vesh se çfarë zgjedhin shqiptarët mes vdekjes politike të Ilir Metës dhe ngjalljes fizike të Enver Hoxhës. Kjo duhet, sa për t’i vënë gishtin kokës disa bukëshkalë të origjinës së tyre, që medemek kanë harruar origjinën politike dhe karrierën e dhuruar nga rrethanat, por edhe emrat e përveçëm të nomeklaturave të kohës. Po ky President, dekoron dëshmorët e LANÇ teksa bën homazhe për Ahmet Zogun në Facebook. Pastaj kritikon Edi Ramën për homazhet ndaj Mit’hat Frashërit dhe po vetë insiston për dekorimin e Qazim Koculit (ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit në qeverinë fashiste).
Nuk e di pse Ilir Meta e ka investuar të gjithë betejën e tij në një kokolepsje me dëshmorë, heronj populli, kolaboracionistë dhe tradhtarë. Nëse po tenton të vendosë një standard të ri vlerësimi, për t’i dalë të keqes para për emrin e tij në të ardhmen, të na e thotë. Besoj se i gjithë populli do të tregohej bujar ndaj këtij aktit të shumëpritur të largimit të tij. Madje, në një vend ku ka dy shtatore Zogu e tre Azem Hajdari, s’u bë qameti se iu vendos edhe një Ilir Metës. Ama, nëse ka zgjedhur të na lakojë emrin e Havzi Nelës nga mëngjesi në darkë sikur po vë njeri në sedër, unë nuk di se në cilin vend një mësuesi fshati apo poet që plagos rëndë një polic me pistoletë i duhet ngritur lapidar. Aq më tepër ta mbajë në gojë Presidenti, që s’ka lexuar minimalisht as dosjen e dënimit të tij.
Ndaj President, ktheju paqes. Ashtu siç kërkove mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për Balilin kur të ‘dogji’, thirr sot një tryezë për zgjedhjet që i ‘djegin’ Bashës apo Kryemadhit. Me apo pa “5 Qershor” të shkelur, na jep shansin të besojmë se ti nuk përfaqësohesh nga Petrit Vasili. Kërko diçka tënden, sepse vetë ke premtuar që për Shkëlzenin nuk bën më akte ekstreme. Kërkoju palëve të firmosin një marrëveshje të re, ti ‘dashnor’ i stabilitetit dhe integrimit. Fjala bie: Zotimin se zgjedhjet do të pranohen pavarësisht rezultatit, mjaft që ato të certifikohen nga OSBE/ODIHR. Bëj disa ditë pushim, mendo diçka më romantike për Shqipërinë dhe pastaj kthehu pa përrallën që ke stisur vetë për Mujon, Vojon, Havziun e të tjerë.
Se veç ti di të vendosësh shenjën e barazimit mes një nacionialisti të zhgënjyer, një komunisti të tradhtuar dhe një antikomunisti me precedentë penalë.