Ruajtja e dokumentacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ka qenë një shqetësim i madh, i cili ka ardhur duke u rënduar vit pas viti, paralelisht më shtimin e numrit të dosjeve dhe materialeve të tjera shkresore që duheshin trajtuar në arkivën përkatëse. E gjitha kjo situatë ka ardhur për shkak të volumit të madh të dosjeve që trajtohen nga ky institucion si dhe mënyrës së vjetëruar, sipas të cilës ato mbaheshin, por edhe amortizimit pothuajse të plotë të godinës ekzistuese të Arkivës së DPSHTRR. Godina ku ndodhej Arkivi Qendror ishte e tejmbushur, ndërsa kishte shfaqur edhe probleme të shumta infrastukturore, duke vënë në rrezik ruajtjen e dokumenteve. Por ky shqetësim, i mbartur në vite, tashmë ka marrë rrugën e zgjidhjes. DPSHTRR, me fondet e veta ka nisur ndërtimin e godinës së re, ku do të vendoset Arkivi Qendror. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja si dhe deputetja e Durrësit, Milva Ikonomi, ndoqi nga afër fillimin e punimeve.
Po punohet me cilësi. Ndërtohen 3 kate arkivë e re me të gjitha kushtet e duhura të mbrojtjes teknologjike dhe informatike. Pasi të përfundojë objekti, do kalojmë këtu projektin tonë të dixhitalizimit të arkivave, që ka filluar në Tiranë me regjistrat dhe indeksimin e të dhënave. Këto të dhëna po skanohen po lexohen nga sistemet dhe do jenë pjesë e një komunikimi që do të bëhet online, në mënyrë që jo gjithçka të lëvizet me dosje nëpër duar, bëri të ditur Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja.