Në Thumanë ka nisur sot rindërtimi i shtëpive pasi është shtruar e gjithë infrastruktura nëntokësore në truallin e ndërtimit të shtrirë në 12 hektarë, ku përmbajtja kënetore e tokës u konsolidua me shtresa gurësh e rrjetash të posaçme stabilizuese.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama i cili gjatë inspektimit të punimeve në këtë kantier i shoqëruar dhe nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe përfaqësuesi i Fondacionit “Firdeus”, Elvis Naçi tha se “kjo pjesë e shtëpive të Thumanës së Re do të rindërtohet nga Fondacioni Firdeus, ndërkohë që së shpejti nis puna për pallatet, ku përveç kontributit nga buxheti i shtetit që do të mbulojë edhe pjesën e godinave social – kulturore dhe zonat sportive, do të integrohet edhe donacioni i Behgjet Pacollit’’.
“Këto janë shtëpitë individuale që do të mbuloni ju ndërkohë që tani do të bëjmë edhe marrëveshjen me Behgjet Pacollin, për angazhimin e tij në pjesën e pallateve. Aty tek pallatet do ta mbulojë një pjesë ai dhe një pjesë e kemi po prapë ne. Jo vetëm pallatet, por edhe shkolla dhe pjesa sportive. Kjo është edhe një zonë simbol e tragjedisë dhe simbolika e një bashkimi të kontributit të shumë shqiptarëve përmes fondacionit tuaj që vjen nga shpirti i bamirësisë, i një kontributi i një sipërmarrësi shqiptar nga Kosova, i drejtpërdrjejtë që ka dhënë angazhimin për një shumë të konsiderueshme që jep një suport të tipit konkret këtu dhe shtetit, janë 3 kënde të ndryshme që kanë ndërtuar infrastrukturën dhe do të vazhdojnë të merren me atë pjesën tjetër atje. Jep edhe një mesazh shumë të bukur”, tha Rama.
Nga ana e tij, Elvis Naçi u shpreh se “ ka pasur një paragjykim për idenë e vonesës. Edhe ju por edhe ne na kanë shkruar shumë mesazhe dhe besoj se është rasti t’ia sqarojmë edhe njëherë se është pritur gjithë kjo infrastrukturë dhe nuk duket ku e ka fundin fusha. Besoj se sot po e bëjmë dhe ajo ëndrra jonë po realizohet. Besoj jo vetëm donatorët por edhe të gjithë shqiptarët do të na kuptojnë që vonesa ishte në bazën e një infrastrukture të madhe që do të bëhet. Ne po mundohemi ti kryejmë në kohë rekord sepse infrastruktura është vënë në vijë”.
Në përgjigje të baltës që hidhet ndaj vonesës, Rama tha se “nuk duan disa të kuptojnë që një projekt nuk fillon kur sheh këta që vijnë këtu. Një projekt fillon kur konceptohet, kur bëhet i gjithë studimi, më pas kur financimi vihet në funksion të një procedure gati. Më pas bëhet kontrata, më pas fillon infrastruktura pastaj vjen puna tek shtëpitë. Në këtë rast m’u bë qejfi që hëngre edhe ti disa topa balte që ku i çove lekët se kjo është puna, ku i çuam lekët. Lekët janë të gjitha aty. U desh bërë një konsolidim i tokës me shtresa për arsye të përbërjes gjeologjike që nuk krijonte stabilitetin e nevojshëm që të nisnim nga shtëpitë”.
“Shteti ka pasur mundësi të bëjë shumë gjëra por nuk ka pasur mundësi ti bëjë të gjitha. Për këtë arsye jemi ne falenderues për kontribut, pavarësisht se një kuptim unë dhe ti detyrën bëjmë në atë pikë që qëndrojmë, sic jemi falenderues për donatorët e tjerë, siç jemi falenderues edhe për donatorët ndërkombëtarë të cilët ja sqaroj prapë sepse ka akoma njerëz që na ndjekin dhe thonë se ku shkuan lekët. Lekët nuk shkuan asgjëkundi sepse donatorët siç është Elvisi, siç janë BE, apo shtetet e tjera nuk i hedhin lekët në prerin apo xhepin e qeverisë. Lekët që ata vënë në dispozicion i shpenzojnë vetë. BE që në procedura ka marrë më shumë kohë sesa ne, fillon tani me shkollat e reja që ka marrë përsipër. Turqia që ka marrë përsipër lagjen në Laç, financimin e bën vetë, kompaninë e ka zgjedhur vetë , inxhinierët i ka sjellë vetë, edhe punëtorë vetë meqë këtu ka shumë që thonë nuk ka punë por kur vjen puna dhe i thonë hajde puno, thonë kjo nuk është punë për mua sepse unë dua të shkoj në doganë, në rastin më të keq të bëhem polic. Po kështu me Emiratet, jo më larg sesa sot kemi marrë mesazhin e fundit që drafti i marrëveshjes përfundimtare bëhet gati dhe javën tjetër mbyllet. Edhe ata do ta bëjnë vetë, me kompaninë e tyre, me lekët e tyre dhe natyrisht është puna e tyre. Ne bëjmë thjeshtë atë që, ndjekin punën për të monitoruar zbatimin në bazë të planit sepse harrova të them më parë që ishte edhe çështja e planit. Po ti thonim fondacionit hajde bëni shtëpitë, si do e bënin tek e tek mbi kënetë. Këtu kemi bashkuar forcat dhe jam shumë mirënjohës që ky fondacion dhe shumë fondacione të tjera qoftë Arbri apo Marini kanë qenë shumë bashkëpunues dhe të harmonizuar me ne, në të gjithë rrugën dhe e kemi ngrenë baltën bashkarisht. Kështu që rrofshi që na jeni bashkuar në këtë tas balte”, përfundoi Rama.
Programi i Rindërtimit në Thumanë parashikon ndërtimin e 14 pallateve, 278 apartamenteve dhe 167 banesave individuale.
Në Thumanë janë 16 ha truall ndërtimi dhe 37 426 m2 infrastrukturë rrugore. Po ashtu janë 3456 m2 ndërtim në objekte publike, shkollë, çerdhe, qendër shëndetësore, qendër komunitare, si dhe 46 148 m2 hapësira publike, parqe, hapësira sportive dhe
408 vendparkime.