Pas vendimit të autoriteteve për të bërë të detyrueshëm përdorimin e maskës edhe në ambjente të hapura, kanë nisur penalizimet e para nga ana e Policisë së Shtetit që po monitoron respektimin e këtij vendimi.

Sipas një njoftimi të policisë bëhet me dije se në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë vendosur 678 gjoba me vlerë 3 mijë lekë për ata që thyen respektimin e këtij vendimi.

“Prej orës 17:00 të datës 16.10.2020 deri në orën 17:00 të datës 17.10.2020, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe në orët e mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 678 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila”, njofton policia.

Gjithashtu bëhet me dije se të paktën 10 persona janë shoqëruar në polici pasi kanë refuzuar të tregojnë dokumentin e identifikimit.

“Disa qytetarë, kryesisht të rinj, për t’i shpëtuar masës administrative nuk i kanë treguar dokumentin e identifikimit punonjësve të Policisë. Për këtë arsye janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lire”, njofton policia.