Numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri vijon të mbetet i lartë. Këtë të shtunë u raportuan 302 raste të reja me nga 1329 testime të kryera në të gjithë vendin. Shifrat më të larta u shënuan në qytetin e Tiranës, ku u regjistruan 196 të prekur.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë: Ju informojmë lidhur me situatën epidemiologjike në 24 orët e fundit të COVID19 në Shqipëri: Janë kryer 1329 testime në 24 orët e fundit, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 302 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Janë shëruar 82 qytetarë, duke e çuar në 10548 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 196 të prekur në Tiranë, 31 raste në Durrës, 17 raste në Fier, 11 raste në Tropojë, 8 raste në Kurbin, 6 raste në Pogradec, 5 raste në Shkodër, 4 raste në Kukës, Rrogozhinë, Kuçovë, 2 raste në Korçë, Kavajë, Vlorë, Mallakastër, Vorë, Patos, 1 rast në Mirditë, Kamëz, Bulqizë, Peqin. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 264 pacientë, 11 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 77 vjeçar dhe një 80 vjeçare nga Tirana, një 80 vjeçar nga Fier, një 82 vjeçar nga Durrësi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.