Në vijim të turit në të 27 njësitë administrative, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ndal sot në Pezë, ku sëbashku me deputetin e PS, Arben Pëllumbi, përuruan rrugën e re që afron fermerët e Varoshit me tregjet bujqësore të Tiranës dhe sjell një zhvillim më të madh për agroturizmin. “Shumë njerëz mendojnë se Peza është vetëm shtëpia e Babë Myslymit, kur thonë Vaqarr, kujtojnë se është vetëm zyra e ish komunës. Nuk e dinë se ka Vaqarr, por ka edhe Allgjatë, disa kilometra larg, ku po bëjmë shkollën e re. Siç nuk e dinë se Varoshi është shumë larg qendrës së Pezës. Ajo që po bëjmë tani është se, pasi lidhëm lagjet, mëhallat, tani lidhim qendrat e fshatrave kryesore. Jam shumë i lumtur që i kemi dhënë drejtim një mëhalle jo të vogël me 500 familje”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se investimet në nivel kapilar do të shtrihen edhe në zona të tjera si Zall-Herr, Kashar, Ndroq, Krrabë dhe Bërzhitë. “Do të vazhdojmë me këtë buqetë investimesh edhe në Zall-Herr, në Kashar, në Ndroq, në Krrabë, në Bërzhitë, sepse puna është ajo që bërtet më shumëse çdo klithmë tjetër. Ata le të zihen, le të shajnë, le të rrihen, ky është problemi i tyre. Ne nuk bëjmë hesapet e një familje tjetër politike”, shtoi ai.
Kryebashkiaku theksoi se ndryshe nga opozita, puna është shembulli që përcjell kjo mazhorancë. “Puna është etalon i suksesit të familjes sonë. Me këtë ritëm do mbarojmë në kohë rekord shtëpitë që po rindërtojmë. Vetëm në Pezë po rindërtojmë 4 shkolla. Janë 4 shkolla më shumë në periferi sesa ai që bëri 0 shkolla në gjithë Tiranën e viteve më përpara. Kush ka sy shikon, kush ka veshë dëgjon, kush ka mend arsyeton dhe pastaj merr një vendim për mënyrën sesi do shkojmë përpara në 25 prill”, nënvizoi Veliaj.
Ai inspektoi edhe kantierin e ndërtimit të shtëpisë së re të familjes së Ruzhdi Kalasë, e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Veliaj siguroi edhe familjet e tjera se shumë shpejt do të marrin çelësat e banesës së tyre të re. Një tjetër ndalesë ishte takimi me stafin e njësisë së Pezës,të cilëve u kërkoi mbylljen e dosjeve të tërmetit. Ai ironizoi videomashtrimin e PD-së për dëmshpërblimet. “Ju kërkoj që t’i mbyllim të gjithë procedurat e tërmetit. Pjesa më e madhe i ka sjellë, kanë qenë korrekt. Ju po e shikoni, pala tjetër mirë që nuk di të bëjë një punë, por nuk të lënë as ty të bësh punë. I vajtën ata të njësisë 4 një gruaje dhe e pyetën: “O zonja Fatime, si e ke hallin sepse ti nuk ke aplikuar ndonjëherë për dëmshpërblim”. Ajo i kish thënë: “Nuk jam Fatimja, jam Tatjana”. “Po a je Fatimja, ti që dole me partinë e Lulit dhe the që s’më ka ndihmuar njeri?”. “Jo mo”- tha – “Fatimja është në Kombinat”. Kjo vetë ishte në Kinostudio. Ka thënë kap ça të kap ndonjë gjë aty”, ironizoi Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se kultura e PD është dhuna, çka e treguan edhe brenda forcës së tyre politike. “Mjafton të shihje lajmet dje, që u rrahën për të eliminuar njëri-tjetrin, tamam si Big Brother. Pra, mileti e di që ata vijnë me atë lloj kulture, me kulturë dhune. Ata rrihen në partinë e tyre, jo më me policët e shtetit. Unë besoj se Shqipëria e ka kaluar këtë fazë në vitet ‘90. Por,s’mund të kthehemi prapë te kultura e dhunës, kur ne na hanë duart për punë, si t’i ndihmojmë këta njerëz. Kurse atyre u hanë duart për të rrahur njëri-tjetrin. Nga ana tjetër them,le të rrihen me njëri-tjetrin. Nga ata nuk kemi shpëtim, na duhen edhe për hudhër t’i kemi vërdallë”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë u shpreh se investimet do të vijojnë si për shkollën e re në Pezë-Helmës, ashtu edhe për rrugët. Gjatë turit në Pezë, Veliaj zhvilloi takime edhe me biznese të zonës.