Iniciativa e qeverisë për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, nga 26 mijë lekë që është aktualisht në 30 mijë lekë, duke nisur nga 1 janari i vitit që vjen, pritet të ketë një ndikim pozitiv.

Në aspektin e politikave sociale, e politikave të reduktimit të varfërisë dhe mbështetjes së konsumit dhe nivelit të jetesës, sidomos për një kategori që është me paga minimale në Shqipëri, kjo masë pritet të sjellë rritje në konsum dhe mirëqenien e popullsisë. Nga ky vendim pritet të përfitojnë një numër i madh të punësuarish në vend kryesisht në sektorin fason, por edhe në atë të shërbimeve e kategori të tjera.

Rritja e pagës minimale konsiderohet edhe një mjet publik për qeveritë që të ndërhyjnë në tregun e punës me qëllim të mbrojtjes së grupeve më të cenueshme, zakonisht punëtorëve pa përgatitje profesionale, me qëllim ofrimin e minimumit të standardit jetësor. Prej vitit 2014 e deri në fund të vitit 2019 paga minimale ka njohur rritje me mbi 31%. Ndërkohë gjatë periudhës 2006-2013 paga minimale u rrit me 18%.