Një event të rëndësishëm mediatik ka paralajmëruar televizioni i familjes së Sali Berisha- do të ketë një intervistë në prime time me Steve Bannon, strategjistin e të djathtës populiste, apo siç cilësohet nga media perëndimore si “Doktor urrejtja”. Parë në distance, bën çudi fakti i sjelljes së tij në opinionin publik shqiptar sot, kur Bannon jo vetëm është një person pa një fuqi politike apo mediatike, por edhe i akuzuar zyrtarisht nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për një krim federal, siç është mashtrimi me paratë e qytetarëve amerikanë.
Bannon, i cili ishte një nga krijuesit e gazetës online amerikane Breitbart News, një portal ultra i djathtë, populist dhe ushqyes i ndjenjave raciste dhe ekstremiste, pas aventurës pa lavdi në SHBA, ku arriti të emërohej Ceo i fushatës së Donald Trump në 2016 dhe këshilltar i Sigurisë Kombëtare të presidentit, u dëbua nga Shtëpia e Bardhë me ceremoni pas vetëm 7 muajsh. Sot ai është një i padëshirueshëm i presidentit amerikan. Kur e larguan nga Breitbart, Trump shkroi në Twitter se ishte një “vendim i zgjuar”. Ai ishte një nga drejtuesit e Cambridge Analytica, e cila u hetua se vodhi të dhënat personale të miliona njerëzve dhe i përdori për fushatën e zgjedhjeve në SHBA.
Pas aventurës amerikane, Bannon për ca kohë u end edhe në Europë, ku u pa korridoreve të së djathtës franceze të Mari Le Pen, por që sërish e larguan. Pas Francës u zhvendos në Itali, ku mori përsipër krijimin e një të djathte populiste që të dominonte kontinentin e vjetër nga zemra e “Bel Paese”, duke këshilluar Matteo Salvinin e Lega-s, e ku tentoi të krijonte një “Internacionale Populiste”. Por një vit më parë, Salvini, i cili arriti të krijonte qeverinë së bashku me 5 Yjet, u rrëzua keqas nga pushteti pikërisht se pati një të përpjetë populiste, ku “ra me hundë”.
Pikërisht dështimi në Itali e ktheu Bannon në SHBA, ku u mor me grumbullimin e parave për murin me Meksikën, e sipas Prokurorisë, një pjesë të këtyre parave që ishin qindra mijëra dollar, i përdori për jetën e tij luksoze. Por pikërisht sot, Bannon thirret nga televizioni që aks politik ka dyshen Berisha-Meta. Cila të jetë arsyeja vallë? Kur PD, partia që mbështet kjo media është jo vetëm anëtare e PPE, por edhe Lulzim Basha e ka braktisur gjuhën populiste që përdori në çadrën e 2017-s me shpresën se do të dëgjohej nga njerëzit e Trump, madje edhe parapagoi një intervistë në Breitbart News, ku tha se qeveria e Ramës është e drogës dhe krimit e prapë s’bëri efekt, ka një nonsens kjo thirrje e “Doktor urrejtjes” për ndihmë, siç e kanë cilësuar mediat amerikane e ato europiane.
Megjithatë, nëse e shikon me vëmendje, sidomos këto ditë, qarqet e Berishës dhe Metës kanë nisur një fushatë në rrjete sociale, që është pikërisht ajo që u fundos në SHBA e sidomos në Europë. Njerëzit e agjitropit të Metës po bombardojnë rrjetin pikërisht me gjuhën e urrejtjes. Ja ç’shkruan një nga këshilltarët e Metës në rrjetet sociale sot: “Neveria me urrejtjen me jane barazuar si per eterit edhe te bijte. Por me shume me bejne te vjelle e me perziejne zorret, pikerisht klonet e tyre, Elisa, Veliaj, Manastirliu…”. Po ky këshilltar i bën thirrje mbështetësve të opozitës të mos ndjekin televizionet e mediat kombëtare, por vetëm ato të klanit të Berishës e Metës, që sipas tyre “japin realitetin e vërtetë”.
Në kohën kur Bannon ishte me peshë, as ja fishkëlleu, sot që është në rrugë e madje i akuzuar për mashtrim, e kanë thirrur që t’i ndihmojë. Po a e kanë paguar për konsulencën?! TemA