Zgjedhjet e reja, janw një mundësi e papërsëritshme për të thyer të gjitha barrierat dhe kufizimet, që ka diktuar tradita politike 30 vjeçare e Shqipërisë postkomuniste. Nga 1997 e deri më sot, kanë ndodhur tri herë rrotacionet demokratike të pushtetit, pas çdo dy mandatesh: Nga mazhoranca, tek opozita dhe anasjelltas. Nga PD tek PS dhe anasjelltas. Nga Berisha, tek Nano. Nga Nano, tek Berisha. Nga Berisha, tek Rama. Ndërsa tani, po kërkohet që rrotacioni të vijojë sipas rregullit të pashkruar çdo 8 vjet, nga Rama sërisht për herë të tretë brenda tri dekadash, po tek Sali Berisha. Fillimisht ky rregull ciklik rezultoi të ishte diçka pozitive dhe e shëndetshme për demokracinë e brishtë shqiptare. Kjo krijoi një stabilitet të brendshëm, vendosi balanca kahjesh politike dhe mbajti ekuilibret e brishta të interesave në rritje të një popullsie të varfër, që erdhi duke formësuar dhe lartësuar piramidën e saj shoqërore. Tejzgjatja e këtij cikli krahas të mirave, për shkak të reformës në drejtësi, solli edhe problemet e saj: Polarizimin e tejskajshëm politik. Mosdalja e Sali Berishës nga skena e madhe politike, pas humbjes në zgjedhjet e 2013 siç Fatos Nano bëri para tij pas humbjes në zgjedhjet e 2005, e komplikoi situatën në skenën opozitare. Kjo nxiti një reaksion zinxhir që i bëri liderët e tjerë politikë në aleancë me PD, si Dash Shehi, Nard Ndoka, Fatmir Mediu, Agron Duka, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, etj. që të ndiheshin ende shumë të rinj.

Ndaj, kanë pritur me durim radhën e rikthimit në pushtet sipas “rregullit” 8 vjeçar, pa ndryshuar asgjë në opozitë. Mbi të gjitha kjo e bëri Lulzim Bashën, që të fle edhe më shumë gjumë se më parë, i sigurtë se kur të zgjohet më 26 prill 2021 në mëngjes, do të jetë gdhirë Kryeministër. Ndaj, nuk bëri opozitë. Nuk bëri një program alternativ qeverisës. Nuk u shqetësua për të patur kauza të mëdha, për ti shndërruar në kuaj betejash dhe luftrash opozitare përballë Edi Ramës. Por, i ra shkurt. Qëndroi brenda gardhit të SHQUP. Bëri ndonjë xhiro herë pas here vërdallë nëpër qytet dhe ia la fushën e lidershipit opozitar të hapur, Ilir Metës në Presidencë. Kjo që ndodhi gjatë këtyre 8 viteve, tregon se ka ardhur koha, që rregulli i transferimit ciklik të pushtetit pas çdo dy mandatesh duhet të prishet. Që këtë radhë. Sepse qeveritë dhe mazhorancat ose duhet të rrijnë në pushtet një mandat, nëse nuk i japin brenda 4 viteve të para të gjitha provat se e meritojnë që të na qeverisin për më tej. Ose, duhet të vijojnë që të qeverisin për 3 mandate rresht, a më shumë. Derisa ti çojnë reformat, projektet dhe programet e zhvillimit që kanë nisur, deri në fund. Kjo nuk do të thotë se duhet ta heqim nga qarkullimi fanelën me Nr. 2 të mandateve qeverisëse në të ardhmen. Por, fitorja e dy mandateve të njëpasnjëshme, nuk duhet të jetë më një rregull i pashkruar si deri më sot. Gjë që nga njëra anë nxit administratën shtetërore kryesisht, drejt shkrehjes totale gjatë mandateve të dyta, duke stimuluar uljen e nivelit të shërbimeve për qytetarët dhe korrupsionin. E nga ana tjetër, kjo e bën opozitën një moçal, një pellg uji të ndenjur, një kënetë politike ku nuk lëviz asgjë në pritje të rënies së fikut të pushtetit, drejt e në gojën e kandidatit për Kryeministër. Është kjo arsyeja se përse kjo pritshmëri e faktit të kryer, ka nxitur edhe dualitetet e tmerrshme brenda opozitës. Dualitetin mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës për lidershipin e opozitës. Mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për lidershipin e PD. Mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit për lidershipin e LSI. Mes gjithë liderëve të tjerë të “Opozitës së Bashkuar” dhe figurave të rëndësishme politike të PD, për zonat fituese të sigurta në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e reja. Edi Rama është i dënuar të fitojë edhe mandatin e tretë, në mënyrë që kjo kënetë politike si filozofi dhe praktikë opozitare, të thahet njëherë e përgjithmonë. E në vend të saj nesër të qarkullojnë elitat, idetë dhe të lulëzojnë programet alternative. Ky do të ishte një shërbim i madh jo vetëm për shëndetin e opozitës vetë, por mbi të gjitha, për trupin anemik të demokracisë shqiptare. Këtë radhë opozita ka nevojë për një tërmet më 25 prill, në mënyrë që të nisi, një projekt të madh rindërtimi politik për të ardhmen. Kjo do të kishte efekte shumë pozitive, edhe për mazhorancën socialiste vetë! (Alpenews.al)