Qeveria shqiptare ka miratuar rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë. Ajo u vendos në Këshillin Kombëtar të Punës në mbledhjen e sotme (16 tetor) nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj. Ministrja Denaj gjatë fjalës së saj në KKP vlerësoi, se Qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar dhe promovuar më tej kulturën e dialogut social.

“Përfshirja e Qeverisë në Këshillin Kombëtar të Punës me 7 Ministri është një shëmbull i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional, sipas edhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Punës, shenjë e angazhimit në kuadër të përgjegjësisë sociale, u shpreh Ministrja, duke thesuar, se legjislacioni i punës përcakton kornizat ligjore dhe institucionale për dialogun social trepalesh, bisedimet kolektive dhe zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve të punës” – tha Denaj.

Rritja e pagës minimale ka qënë gjithmonë iniciativë e Qeverisë, në kuadrin e “Pagës së Denjë” për “Punë të Denjë”, duke patur në vëmendje edhe kërkesat e sindikatave, ndërkohë që “përgjegjësia sociale” e biznesit për punën e denjë, është e matshme, përmes sigurisë së shëndetit në punë dhe veçanërisht me pagën reale dhe sigurimet reale shoqërore.

“Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM nr.809 date 26.12.2018, duke u rritur me 15.4 %, tha Ministrja , duke shtuar, se me këtë synojmë ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor”.

Diskutimet më pas u përqendruan në informimin nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi masat e marra nga Qeveria për mbështetje financiare për punëdhënësit dhe punëmarrësit gjatë periudhës së shkaktuar nga pandemia Covid – 19, informimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbi masat e marra për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe informim nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për masat e marra për të siguruar distancimin fizik mes nxënësve për vitin e ri shkollor. Ministrja Denaj gjatë kësaj mbledhjeje i kushtoi vëmendje zbatimit të legjislacionit të punës, veçanërisht për kohën e punës dhe pushimit. Lidhur më këtë një prezantim të detajuar për anëtarët e KKP-së, dha Drejtori i Inspektoriatit Shtetëror të Punës.

Rritja e pagës minimale u premtua rreth një muaj më parë nga kryeministri Rama si pjesë e skemës së re sociale të qeverisë në ndihmë të qytetarëve. Pandemia e koronavirusit ka pasur një ndikim shumë të madh në ekonominë shqiptare, ndaj kjo ndihmë është parashikuar për të lehtësuar sadopak këtë rënie të ekonomisë. Ndërkohë pjesë e skemës së re sociale nga qeveria shqiptare ishte dhe rritja e pagave të mjekëve dhe të mësuesve e cila tashmë është realizuar. Për mjekët pagat rriten me 40 përqind ndërsa për mësuesit me 15 përqind dhe ky vendim do të hyjë në fuqi duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm.