Kryeministri Edi Rama informon se në Sheristë të Vlorës ka nisur puna për ndërtimin e landfillit të ri. Përmes një videoje të publikuar në profilin e tij, kryeministri shprehet se projekti do të vijojë me fazën e dytë që ka të bëjë me kapsulimin e landfillit ekzistues.

“Kantieret e Rilindjes Mjedisore – Në Sherishtë të Vlorës kemi nisur punën për ndërtimin e landfillit të ri me standarde europiane, që do të presë mbetjet urbane të gjeneruara nga Bashkia Vlorë dhe Selenicë, për një mjedis të pastër për të ardhmen e sigurt të gjeneratave që do të vijnë. Por nuk do të ndalemi këtu! Do të vijojmë me këtë projekt madhor në fazën 2 me kapsulimin e landfillit ekzistues, që në fakt është veçse një gropë e madhe plehrash dhe do të përmbyllim venddepozitimet jashtë çdo standardi, për të vijuar punën tonë të Rilindjes Mjedisore për zgjidhje të qëndrueshme të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Siç kemi bërë edhe në Elbasan, Fier dhe Tiranë, edhe në këtë vepër do të ndërtojmë një impiant riciklimi, pasi për ne, ndryshe nga sa bërtasin ata që janë të mirë për asgjë dhe që e lanë Shqipërinë një mal me plehra, rruga jonë e integrimit është me punë dhe jo me fjalë”, tha Rama.