Janë sjellë në Beirut nga kampi Al Hol në Siri, Floresha Rasha gruaja dhe fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha. Gjithashtu dhe djaloshi Endri Dumani, të cilët do të udhëtojnë nesër drejt Shqipërisë. Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kanë folur pas mbërritjes në Liban, duke treguar dhe procesin. Mbi çlirimin e fëmijëve nga kampi i “Ferrit”, Rama u shpreh se ka qenë gjatë gjithë kohës me zemër të ngrirë, ndërsa meritat janë për konsullin e Shqipërisë në Liban dhe të dërguarit e Ministrisë së Brendshme.

“Jam i lehtësuar sepse ky ishte një operacion i komplikuar më vjen mirë që ia dolëm, kam kontaktuar dhe me drejtuesit e operacionit dhe gjeneralin e që kanë shumë merita në këtë proces. Falenderoj dhe drejtorin e antiterrorit që për 30 ditë ka bërë përpjekje të vazhdueshme , po ashtu edhe konsullin këtu për lidhjet që janë jo aq të lehta, sepse në këtë proces ishin shumë faktorë. Bashkë me fëmijët tani do kthehemi në Tiranë. Kemi ngritur rrjetin e nevojshëm për t’i trajtuar më kujdes.

E ëma e fëmijëve të vegjël është në gjendje të vështirë ka plagë në trup, por do vij me ne. E rëndësishme se ky operacion i hap rrugën fazës tjetër. Tani presim sinjalin e fundit për të marrë dhe të tjerët”, tha Rama për gazetarin Veliu.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha nga Bejruti se kampi Al Holit duhet të quhet kampi i Ferrit.