Europa shënoi rekord të ri prej mbi 123 mijë infektimesh ditore këtë 24 orësh. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë bëhet fjalë për shifrën më të lartë të infektimeve në një ditë që prej shpalljes së pandemisë, që është 8.3% më e lartë se rekordi i shënuar të premten e kaluar me rreth 114 mijë raste të reja. Vatra e nxehtë e valës së dytë të infektimeve europiane është Franca, që 24 orëshin e fundit preku një nivel të frikshëm prej gati 27 mijë infektimesh të reja. Ritmet e përhapjes po shtohen pavarësisht se Franca renditet mes vendeve europiane që kanë në fuqi aktualisht nivelin më të lartë të masave parandaluese në shumicën e qyteteve të mëdha. Rekordi i mëparshëm u shënua 24 orëshin e kaluar me mbi 20 mijë infektime.
Shifrat e infektimeve ditore janë të larta edhe në Britaninë e Madhe, ku ekspertët thonë se rikthimi i karantinës ka shumë gjasa të ndodhë gjatë ditëve në vijim, për të shmangur zhytjen në kolaps të spitaleve prej dyndjes së pacientëve. Ritmet e shtimit të infektimeve ditore janë të pandalshme edhe në Itali e Gjermani.
Në raport me popullsinë, Çekia është vendi me numrin më të lartë me 308 infektime për 100 mijë banorë në 24 orët e fundit, e ndjekur nga Franca e Spanja. Shtim të ritmeve të infektimeve ditore ka edhe në vendet me përhapje më të lartë të Covid-it si Shtetet e Bashkuara, Indi e Brazil.