Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi e vlerësoi projektbuxhetin w vitit 2021, si një nga buxhetet më të mira ndër vite për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Gjatë diskutimit të projektbuxheti të vitit 2021, në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, ministri Çuçi tha se, “me një fond prej 12,8 miliardë lekë, buxheti i vitit 2021 është mbi 2 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin 2020, ose me një rritje prej 20%”.
Çuçi theksoi se “projektbuxheti i vitit 2021 shënon një përmbushje të disa objektivave strategjike të sektorit të bujqësisë, ku më të rëndësishmet janë: Financimi me 1 miliard lekë, për subvencionimin e naftës për fermerët, ku parashikohet të mbulojmë nevojat e rreth 70,000 fermerëve; përmbyllja e Reformës Veterinare, duke krijuar Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, ku i shtohen sistemit 430 punonjës të rinj. Matrikuj dhe shërbim falas për blegtorët, që përbën fondin me rritjen më të madhe në përqindje krahasuar me 2020 ose 88% më shumë; Investime për laboratorët e sigurinë ushqimore me 100 milionë lekë shtesë ose 74% më shumë se viti 2020 dhe fillojmë projektin madhor për rindërtimin e 3 porteve të peshkimit në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin nga kredia italiane prej 25 milionë euro”.
Financimi i brendshëm dhe i huaj për (programi IPARD, Projekti I GIZ dhe fondi i garancisë BERZH) llogaritet në rreth 480 milion lekë, u shpreh ministri, ndërsa theksoi se në sajë të financimeve në rritje adresuar bujqësisë ku sektor rezulton me trend në rritje të prodhimit, eksporteve dhe investimeve në agroindustri e agroturizëm.