Ndërkohe që çdo forcë politike propagandon sondazhet e veta në të cilat të gjithë dalin fitues dhe që në të vërtetë asnjëri nuk i tregon, një test në pëlqimin e politikanëve vjen nga Facebook.

Pa dashur t’i japim këtyre të dhënave asnjë vlerë absolute, por vetëm një tendencë pëlqimi nga ana e botës së social-mediave (një kriter i përdorur nga të gjithë politikanët perëndimorë), llogaritëm mesataren e pëlqimeve (like) të marra nga disa nga protagonistët kryesorë të politikës në 10 postimet e tyre të fundit në facebook. Dhe rezultati (i verifikueshëm nga secili pasi të dhënat janë online) nuk i lë hapësirë dyshimeve: Edhe pse pjesa më e madhe e mediave online dhe analistëve janë kundër Edi Ramës (ose ndoshta pikërisht falë kësaj) kryeministri vazhdon ta fitojë betejën e pëlqimit në mediat sociale. Në vend të dytë është, surprizë, Jozefina Topalli që pak ditë më parë lajmëroi lindjen e një force të re politike ndërsa presidenti Ilir Meta që pretendon se flet në emër të gjithë popullit shqiptar, është në vendin e parafundit. Më keq se ai është vetëm liderja e LSI-së që është dhe gruaja e tij, Monika Kryemadhi.

Kjo është mesatarja e pëlqimeve (like) për 10 postimet e fundit e matur sot nga redaksia e Shqiptarja.com në orën 18.30. 1) Edi Rama: 4160 like 2) Jozefina Topalli: 2100 like 3) Erion Veliaj: 2020 like 4) Rudina Hajdari: 1734 like 5) Lulzim Basha: 1455 like 6) Sali Berisha: 1128 like 7) Ilir Meta: 755 like 8) Monika Kryemadhi: 514 like.