Epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka analizuar situatën e koronavirusit, ndërsa ka trajtuar imunitetin e antitrupave.

Alimehmeti sqaron se sa zgjat imuniteti i antitrupave, ndërsa shton se një hulumtim i kryer për prodhimin e limfociteve B, të kujtesës, pas infektimit nga SARS-CoV-2 tregoi se SARS-CoV-2 indukton formimin e limfociteve B të kujtesës.

Limfocitet B të kujtesës, sqaron epidemiologu janë qeliza imunitare më jetë të gjatë që zbulojnë viruset, krijojnë antitrupa për t’i shkatërruar ato dhe “i mbajnë mend” për të ardhmen.

Ndërkohë herën e dytë që ky virus mundohet të hyjë në trup, limfocitet B të kujtesës futen menjëherë në veprim në kohë shumë më të shpejtë për të zhdukur infeksionin përpara se ai të fillojë sëmundjen.

Duke qenë se limfocitet B të kujtesës mund të mbijetojnë dekada, ato mund t’i mbrojnë personat që e kanë kaluar COVID-19 nga infeksionet e ardhshme për një kohë shumë të gjata (ndoshta të gjithë jetën), por sipas Alimehmetit nevojitet më shumë kërkim shkencor në këtë drejtim.

“Ekspertë të sëmundjeve infektive në Universitetin e Rochester – SHBA, mendojnë se ata që janë infektuar më parë nga një koronavirus i zakonshëm (që pak a shumë do të thotë “të gjithë”) mund të kenë njëfarë niveli imuniteti para-ekzistues kundër COVID-19”, shkruan epidemiologu.