Nga Ener Robelli
Rezultatet e dobëta në anketa dhe sëmundja e Covid-19 kanë ndikuar që Donald Trump të humb kontrollin më shumë se zakonisht. Kur e humb kontrollin, Trump shkruan në Tëitter me shkronja të MËDHA.
Fjalët e tij janë si saçmat e gjahtarit të dëshpëruar që del në mal dhe hap zjarr në të gjitha drejtimet me shpresën se do të qëllojë diku. Kështu, Trump e ka quajtur senatoren Kamala Harris “përbindësh”. Harris është kandidate për nënpresidente të SHBA-ve.
Trump i ka fyer edhe anëtarët e kabinetit të tij. Ai tha se është i dëshpëruar me ministrin e Drejtësisë Ëilliam Barr për shkak se nuk e ka akuzuar Joe Bidenin, po ashtu Trump është i zhgënjyer me ministrin e Jashtëm Mike Pompeo dhe me shefin e FBI, Christopher Ëray. Sharjet e fundit të Trumpit kanë ngjallur supozime të ndryshme të analistëve. Disa besojnë se këto sharje janë pasojë e konsumit të ilaçeve të ndryshme me të cilat u trajtua Trump pasi u infektua me virus.
Por sharjet, bërtitjet, sulmet e ulëta, personale kanë qenë përherë “specialitet” i Donald Trumpit. Ai i ka quajtur disa vende si “shithole countries”, meksikanët i ka njollosur si përdhunues, ka fyer senatorë e gazetarë, media dhe aktivistë, ka atakuar drejtësinë, ka përqeshur njerëzit me të meta fizike, ka vënë në dyshim rezultatet shkencore, neonazistët në Charlottesville i ka quajtur “njerëz të mirë” dhe në debat me Joe Bidenin ka përshëndetur lëvizjen raciste “Proud Boys”. Lista është e gjatë. Dhe situata mund të bëhet edhe më dramatike nëse më 3 nëntor Trump fiton edhe njëherë. Tani për tani gjasat janë të vogla.