U bë kohë që Ilir Meta as nuk e merr më mundimin që të mbështjellë qoftë edhe me pakë seriozitet, veprimet e tij në detyrën e presidentit të Republikës. Qesharak deri në ekstrem, ish kryetari i LSI-së, i cili nga zyra presidenciale konkurron me Lulzim Bashën për drejtimin e opozitës, nuk po lë rast pa e banalizuar detyrën e lartë të Presidentit të Republikës. Akti i tij më i fundit ka të bëjë me kërkesën për informacion, që i ka dërguar Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Çudia e parë është kjo tradita e postimit në rrjete sociale të shkresave zyrtare, sikur të jenë ato fotografitë duke drekuar me Fahri Balliun apo duke ngjitur malet me Çim Pekën. Ilir Meta ka postuar në Instagram shkresën që sipas tij i ka dërguar ministres dhe për dijeni Kryeministrit të Republikës, ku kërkon informacione në lidhje me pandeminë, testet, trajtimet, spitalet. Pak a shumë të njëjtat gjëra që thotë Lulzim Basha dhe Petrit Vasili në konferencat e përditshme, por të përmbledhura në formë pyetjesh nga presidenti i Republikës (!) dhe të postuara online.

Çudia e dytë është referimi. Presidenti i Republikës së Shqipërisë poston një shkresë zyrtare – e cila nuk ka as numër protokollë, as datë dhe as vulë – dhe ua justifikon shqiptarëve këtë shkresë të hartuar, duke postuar krahas shkresës dhe linkun e një artikulli të portalit të Zenit dhe Çim Pekës… Nuk dihet se çfarë ka patur në mendje Presidenti kur ka ndërmarrë veprimin e radhës, por me degradimin progresiv që po pëson, e sigurt është që do të vazhdojmë të shohim çudira nga zyra e ish kryetarit të LSI-së. Lexo.al/