Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hedhin një hap përpara drejt Shengenit Ballkanik. Ministrat e Bujqësisë të të dy vendeve, Bledi Çuçi e Arjanit Hoxha nënshkruan sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit në Fushën Fitosanitare që lidhet me shkëmbimin tregtar të produkteve bujqësore. Marrëveshja është finalizimi i një pune të nisur rreth një vit më parë nga ministrat e të dy qeverive. Pas nënshkrimit, ministri Çuçi tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për krijimin e një korridori krejtësisht të lirë për qarkullimin e produkteve bujqësore në të dy vendet dhe një hap më tej drejt iniciativës strategjike të Shengenit Ballkanik për zhvillimin e rajonit tonë.
“Kjo marrëveshje nuk është gjë tjetër veçse bën të mundur që çdo ngarkesë me produkte bujqësore që shkon nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut apo anasjelltas, nuk do të ketë nevojë që në kufijtë reciprokë t’i bëhen analiza shtesë. Për produktet tona do të njihet çertifikata fitosanitare e Shqipërisë, për produktet bujqësore të Maqedonisë së Veriut do të njihet çertifikata fitosanitare e këtij vendit”, tha ministri Çuçi.
Më tej ministri shtoi se në vijim të takimit me homologun maqedonas, Arjanit Hoxha, do të flasin edhe për dy marrëveshje të tjera me Republikën e Maqedonisë së Veriut. E para është Marrëveshja për Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe Prespën e Madhe, si dhe Marrëveshja për Tregtimin e Kafshëve të Gjalla dhe Produkteve me Origjinë Shtazore, të cilat do të nënshkruhen gjatë një periudhe të mëvonshme pasi të finalizohet i gjithë diskutimi në nivel teknik mes palëve dhe të dakordësohen draftet. Ministri Arjanit Hoxha vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cila pason edhe lehtësitë e mëparshme të krijuara mes dy vendeve për lëvizjen e njerëzve vetëm përmes kartës së identitetit.
‘Është një hap shumë i rëndësishëm drejt heqjes së barrierave të ndalesave kufitare sidomos për produktet që afatin e kanë pasur shumë të shkurtër, të cilat në të kaluarën kanë qëlluar që të presin edhe 48 orë në pikat doganore. Pas lëvizjes me letërnjoftime të njerëzve, ky është një hap i radhës shumë i rëndësishëm drejt krijimit të një tregu të përbashkët, që i paraprin integrimit të të dy vendeve në Bashkimin Europian”, tha ministri Arjanit Hoxha. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në Fushën Fitosanitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria do të bëjë të njëjtën gjë edhe me Republikën e Malit të Zi. Kjo marrëveshje njeh rezultatet e testeve dhe vlerësimit të laboratorëve, jo vetëm të akredituar, por edhe të autorizuar, duke bërë të mundur kalimin e ngarkesave në Pikat e Inspektimit Kufitar, pa vonesa dhe pa marrje mostrash shtesë. Këto lehtësi reduktojnë dokumentacionin dhe kohën e pritjes në kufi të kamionëve. Rrjedhimisht do të thotë më pak kosoto për biznesin, më shumë rritje të volumit të shkëmbimeve tregtare.