Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste mbledhur sot në Pezë u shpreh se rinia shqiptare kërcënohet ende nga modele të dhunës që burojnë pikërisht nga ndasitë që frymëzon politika. Duke iu referuar rastit në Kamëz, ku një grup të rinjsh përfunduan në spital për të mbrojtur ish-kryetarin e Bashkisë, Xhelal Mziu, Veliaj tha se ky nuk është modeli që duhet ndjekur.
“Kur pashë që dje kishte valu druri në Kamzë, kishin thyer karriget në kokat e njëri-tjetrit, çuna të rinj në Spital Ushtarak…, thashë kushedi për çfarë janë zënë! Kërceu druri, huri në kokat e tyre: a do bëhet Xhelal Mziu deputet? Të rinjtë tanë janë duke folur përditë si do bëjmë shkollat e reja, të rinjtë e tyre thonë, drurin kokës dhe thyeja karrigen! Imagjino çfarë iu bëjnë ata njerëzve tanë, shqiptarëve të paangazhuar, atyre që duhet tu shërbejnë kur në familjen e tyre rrihen e valon druri a do bëhet Xhelali deputet?! Dy modele krejt të ndryshme,” u shpreh ai.
Veliaj tha se të rinjtë duhet të përqafojnë shembuj si ai i Sonilës, edukatores që bën çdo ditë dy orë rrugë, nga Kinostudio, për t’u kujdesur për fëmijët në Allgjatë.
“Kur shkuam në Allgjatë, njeriu te i cili u mblodhën të gjithë njerëzit ishte Sonila e cila nuk i bënte naze punës, nuk kërkoi punë në Vlorë, nuk kërkoi punë as në kinostudio ku ka shtëpinë, por tha në një sistem ku askush nuk të pyet çfarë lidhjesh politike ke, ky atdhe më caktoi detyrë të vij në Allgjatë dhe të jem edukatorja e kopshtit. Heroi im është Sonila. Ky është njeriu që më frymëzon mua. Nuk është heroi im ai që i thyen karrigen në kokë tjetrit për deputet. Nuk është heroi im ai që shan. Ata që shajnë më shumë edhe vetë PD i nxori jashtë loje, sepse edhe demokrati më i flaktë nuk e do dhunën. Ne na duhen heronj dhe heroina si Sonila, jo si ata që i valojnë drurin kokës, hurin cvergut, me manikota me qepje e çarje për të bërë Xhelalin deputet”, deklaroi Veliaj.
“Edhe demokratët që janë këtu sot duhet ta kuptojnë që kanë bërë zgjedhjen e duhur duke ardhur në familjen tonë. Ne iu shërbejmë të gjithëve me dinjitet, respekt e përulje” tha më tej kryebashkiaku socialist.