Nga Alba Malltezi/

Ndodhi diçka para syve të të gjithëve këtë javë, por nuk jemi të sigurtë nëse të gjithë e vumë re formën dhe përmbajtjen ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta përjetojmë përherë. Nuk është e para herë që ndodh. Gazetari Armand Shkullaku u kap duke thënë një akuzë ndaj Edi Ramës në studion e Opinion të Blendi Fevziut që vetë Rama e ka përgënjeshtruar duke paraqitur disa fakte. Është e rëndë kur një politikan kapet duke gënjyer, por e pafalshme kur një gazetar kapet nga një politikan duke gënjyer, e sidomos nëse e bën me qëllime politike. Por aq shumë jemi mësur me këtë, sa sot nuk habitet njeri. Mund të ndodhë që një gazetar të gabojë, një burim mund të jetë i pasaktë, por në misionin e tij një gazetar nuk mund të gënjejë qëllimisht. Gënjeshtra me qëllim është e pafalshme në një vend ku do të funksiononin siç duhet rregullat e demokracisë. Nuk kemi dëshirë të gjykojmë veprimin e Shkullakut në rastin konkret (nëse ishte thjesht gabim apo gënjeshtër e qëllimshme), kur kemi gazetarë nga i njëjti front që shpikën një serial Babaleje të tërë, apo që mbrojnë fake news të fabrikuara në tavolinë e të botuara pastaj edhe nëpër media të huaja për ta bërë më të besueshme, por, do të doja të vija në dritë ndryshimin e reagimeve të politikanëve. Në të njëjtën ditë kur ndodhi ‘’incidenti’’me Shkullakun një tjetër gazetar, Adriatik Doçi nga Shqiptarja.com ka përcjellë gjithë aferën e dhënies së nënshtetësive me procedura të privilegjuara nga Presidenti Ilir Meta.

Të gjithë mund të konsultojmë përgjigjet vulgare, ofenduese si nga ana e vetë Presidentit ashtu dhe të zëdhënësit të tij të cilët pa asnjë përpjekje për të përgenjeshtruar me fakte dokumentat e gazetarëve (si bëri Rama me Shkullakun) janë marrë drejtpërdrejt vetëm me gazetarin personalisht. Po përmendet familja, babai, i gazetarit, bashkëshortja të vënë në gijotinë me etiketime banale dhe pjesererisht te kopjuara nga fjalori vulgar dhe shpifes i profesor doktor Sali Berishës, profesionist i pa arritshëm në këtë fushë. Armand Shkullaku është me shumë fat përballë Adriatik Doçit, pse ndryshe nga kolegu, askush nuk po merret me familjen, jetën e pasurinë e tij. Ashtu siç askush nuk njeh e nuk përmend familjen, të afërmit e gjithë gazetarëve mbështetës të deklaruar të opozitës aktuale. Pas çdo konference apo debati me Ramën për fat dhe bën shumë mirë që del një gazetar/e “hero” e kundërshtues, por akoma për fat, nuk nis linçimi për të dhe familjen e tij se guxoi të kundërshtojë Ramën.

Pra, nga një anë kemi politikanët e opozitës (ish qeveritareve do të ishte më i saktë si përkufizim) që përballë gazetarëve sulen me të gjithë arsenalin e sharjeve dhe ofendimeve publike: etiketimeve të emrave dhe mbiemrave, të jetëve personale, të familjes e të afërmëve, të gjyshërve dhe të stërgjyshërve. Të kujtoj disa? Sali Berisha i pari në listë për agresivitetin e tij dhe më pas disa nga figurat e PD-së që e imitojnë, por edhe LSI e krerët e saj nuk po mbeten pas. Fjalët e tyre janë nga më të rëndat dhe ofendueset pa sjellë asnjë kundërprovë ndaj gazetarëve që i kundërshtojnë. Adriatik Doçi po përjeton të njëjtin “fat” me pak gazetarë si Mero Baze, Carlo Bollino, i mirënjohuri Andrea Stefani që sot nuk jeton më, që janë sulmuar egërsisht vetëm se kanë pasur kurajon të kritikojnë këtë pjesë agresive të politikës. Ndërkohë në kundërpërgjigjen që Edi Rama i bën Armand Shkullakut mbi faktet për impjantet e përpunimit të plehrave në Elbasan nuk gjen asnjë fjalë personale, ofenduese, denigruese ndaj personit gazetar veç kundërshtimit që ka të bëjë me lajmin vërtetësinë apo pavërtetësinë e tij. Eshtë një vijë e trashë dalluese që huton opinionin publik: janë të rënda kundërshtimet e fakteve dhe të opinioneve, apo sharjet, shpifjet, kërcënimet dhe manipulimet që disa i kanë kthyer tashmë në zakon pa habitur njeri? Cilën metodë duhet të mbështesim? Kjo është e rëndësishme në dallimin e qëllimeve dhe të punës së çdo shqiptari. Shpresoj e uroj që edhe pas këtij opinioni e konstatimi të mos rinisë linçimi i radhës, siç është zakon nga një kategori tashmë e caktuar dhe e profilizuar në Shqipëri.