Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në, Zef Mazi, zhvilloi një vizitë pune në Holandë.
Lajmi konfirmohet zyrtarisht teksa theksohet se gjatë qëndrimit, Kryenegociatori Mazi kreu takime me Drejtoren e Përgjithshme, Ministren për Evropën, Anita van den Ende, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hollandës. Gjithashtu ai zhvilloi takime me një numër parlamentarësh, përfaqësues të lartë të partive politike në parlamentin hollandaz, si dhe me akademikë dhe drejtues të think-tanke-ve më influente në qarqet politike, qeverinë hollandeze, mediat dhe opinionin publik në Hollandë.
Një tjetër takim i rëndësishëm, njoftohet se ishte edhe ai me drejtorin ekzekutiv të Europolit me seli në Hagë.
“U shkëmbyen mendime dhe u informua pala hollandeze mbi përparimin dhe arritjet konkrete të Shqipërisë që prej vendimit të Këshillit në mars 2020 që hapi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE. U nënvizua gjithashtu angazhimi i plotë i qeverisë dhe i Shqipërisë për të vijuar pareshtur dhe me më shumë vendosmëri punën me rezultate në ecurinë e reformave. Këto do të çojnë në vendimin për mbajtjen e Konferencës së parë Nderqeveritare, brenda Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së.
Bazuar në arritjet konkrete dhe zbatimin e kërkesave të BE-së, Z. Mazi kërkoi mbështetjen e Hollandës për finalizmin e kuadrit negociues të Shqipërisë në Këshill dhe organizimin e Konferencës së parë Nderqeveritare, menjëherë pas saj.
Kryenegociatori Mazi theksoi pandryshueshmërinë e kursit euroatlantik të Shqipërisë, duke vënë në dukje se objektivi madhor i anëtarësimit në BE është vendim strategjik dhe politik, prioritar që gëzon mbështjetjen e gjerë të të gjithë spektrit të vendit.
Bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor nga këndvështrimi gjeostrategjik, politik, ekonomik, moral dhe të qasjes “strikte dhe të drejtë”, për të siguruar kështu besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e procesit të zgjerimit” – thuhet në njoftimin që zbardh detajet e takimeve.