Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i ftuar në “ABC-ja e mëngjesit” foli për situatën e COVID-19, rritjen e rasteve të reja si edhe rëndësinë e përdorimit të maskave edhe në ambiente të hapura. Brataj tha se studiuesit kanë arritur në përfundimin se mutacionet e COVID-19 janë më të ngadalta sa edhe vetë gripi.
“Një kurë e fazës së lehtë nuk ka pse të kalojë 2 mijë lekë. Ilaçet më efektive sot janë antibiotikët që përballojnë temperaturën. Është me rëndësi të komunikohet me mjekun e familjes”, tha ai.
Brataj gjithashtu shpjegoi edhe arsyet e rëndësisë së përdorimit të maskave në ambientet e hapura. Për mjekun kjo masë është një masë e vlefshme, ndërsa sqaron se me përdorimin e maskës nuk ndalohet virusi, por ndalohen spërklat.
“Maska është masë që vlen. Ne në dorë kemi higjienën, distancën dhe maskën. Maska nuk ka lindur për viruset ka lindur për mikrobet. Ne nuk ndalojmë virusin, por ndalojmë spërklat. Në studimet e fundit është parë gjatë një bisede në një minutë nxjerrim 3 mijë spërkla, kur teshtijmë mund të nxjerrim deri në 1 milion spërkla. Nëse virusi e ka 0-3 dimensonin, spërkla e ka 5-10 mikron.
Filtrat janë bërë deri në 5 mikron, spërkla është më e madhe dhe detyrimisht ndalon tek maska. Një spërkël mund të ketë 70 deri në 100 viruse brenda, pra koncepti i parandalimit është që ndalohen spërkla, pasi ne kur flasim nuk nxjerrim vetëm ajër.
Të mos harrojmë se të folurit normal është deri në 50 cm, kolla shkon deri në 1 m, teshtima shkon deri në 7-8 metër, imagjinoni sa miliona viruse nxjerrim një moment.
Pra këto miliona që dalin, ndalojnë tek maska. Kur vihet maska, si koncept brenda dhe jashtë ka këtë qëllim. Nuk po themi që jemi 100% të mbrojtur. Karantina është varianti i fundit dhe shpresoj të mos arrijmë deri te karantina”, sqaroi Brataj.