Nga Ben Andoni/
Të gjithë jemi kthyer në tifozë për këtë apo atë kauzë, ku shumica qoftë edhe instiktivisht nuk i shpëton dot qëndrimit partiak dhe preferencave. Kauza e detit, e inceneratorët së fundmi, Dosjet e zgjedhjeve të Dibrës; “21 Janari”, Gërdeci, Gjykatës dhe prokurorët e nxjerrë jashtë prej Vetting-ut…janë aty të paprekur. Të gjithë presin që Drejtësia e re, që sapo po merr jetë përmes strukturave të saj, të japi shenjat e kthesës. Veçse, deri më sot, hapi i saj është i brishtë, kurse akuzat mbi të shumë të mëdha dhe shtohen madje për ditë. Paradoksalisht, të dy krerët e partive kryesore në vend, Rama dhe Basha i drejtohen me ironi të njëjtit institution dhe duket se i besojnë po aq sa e përflasin për çdo hap. Por, e çuditshme është se askush nuk i druhet prej tyre! Kryeministri Rama në një takim të pak ditëve më parë do të shprehej se:“Nëse ata (gjyqtarët e larguar) nuk do ndëshkohen, atëherë do jetë e largët dita kur goditja do ngjitet më lart. Kjo është premisa mbi të cilën sipas këndvështrimit tim duhet të fokusohet e gjithë përpjekja e institucioneve të reja të drejtësisë. Kjo është premisa e cila SPAKUN do ta bëj institucionin që të gjithë keni shpresuar dhe shqiptarët kanë shpresura. Përndryshe SPAK do jetë zhgënjimi më i madh i shqiptarëve nga Reforma në Drejtësi. Do jetë goditja më e madhe morale që do t’i bëhet popullit shqiptar pas gjithë këtij angazhimi të madh. Dhe do jetë dështimi më i madh i gjithë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë që janë përfshirë në këtë proces”. Kryetari i Opozitës, Basha, nga ana tjetër, e lidh funksionimin e SPAK-ut veç përballjes së pamjaftueshme me Dosjen e Dibrës edhe me rastin e fundit të inceneratorëve. “Zotërinj të SPAK-ut, ju inkurajoni vjedhjen! Ju inkurajoni hajdutërinë e parave të shqiptarëve! Ju bëheni bashkëpërgjegjës që shqiptarët të mos kenë masa lehtësuese që kam tre javë që i përsëris ditë për ditë!
Për shëndetësinë, për vogëlushët dhe mësuesit, për shqiptarët e shpunësuar, për biznesin që nuk po mban dot kokën mbi ujë.
Sot është koha mos ta kyçni, por ta hapni gojën dhe të tregoni se kur keni ndërmend t’i kyçni në pranga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, për shkak të të cilëve shqiptarët janë të vetmit në Ballkan që nuk merr dot mbështetje nga taksat që ka paguar sepse taksat vazhdojnë të vidhen nga ky grup kriminal”, u shpreh ai me patetizëm, duke treguar se do jetë i vëmendshëm ndaj tyre! Duket sikur të gjithë ia kanë vendosur dorën dhe duan t’i mbyllin gojën SPAK-ut dhe nuk e lënë të shprehet. E mbi të gjitha nuk i frikësohen. Ky është shqetësimi real më i madh.
SPAK-u, akronimi i njësisë speciale antikorrupsion, tashmë ka në dispozicion BKH, që për hir të së vërtetës i duhet kohë të maturohet dhe Gjykatën Speciale, vendimet e së cilës do tregojnë sesa do të funksionojë kjo trini e shenjtë e Drejtësisë sonë. Kemi ende kohë, megjithëse tashmë jemi në limite të besimit popullor. Koha na ka zhgënjyer dhe cinizmi i shumë prej njerëzve të përcjellë jashtë sistemit nga Vetting-u. Zhgënjimi më i madh është edhe njëherë se politikanët e sotëm, njësoj nga të dy anët, as nuk kanë frikë prej Reformës në Drejtësi dhe ky është problemi real i besimit të këtyre institucioneve të reja me akronime alla USA. Tek e fundit historia e tyre do të matet me produktet që do të nxjerrin dhe me markën, që do t’i ngjisin në të ardhmen Drejtësisë sonë. Deri tani e kemi një mangësi jo të vogël: ne Drejtësinë e pengojmë të gjithë sepse në thelb nuk e duam punën e drejtë, drejtimin dhe angazhimin e mbi të gjitha nuk e denoncojmë të keqen apo ta mohojmë me vepra. Dekadat nën Socializmin e Demokracinë Eksperimentale na e kanë kalitur këtë ndjesi, ku padrejtësia është thjesht një normalitet i zakonshëm. Paçka se është një i frikshëm. Sak, ai, që sot, e bërtasin të gjithë aktorët tek Molieri: Kapeni! Por ai nuk kapet. Dhe, askush nuk e di se pse. Por mbi të gjitha, SPAK-u dhe të gjithë akronimet e tjera do e kenë shumë të vështirë ta vendosin Drejtësinë në Shqipëri, përderisa ende nuk e kuptojnë misionin se Ligji është mbi të gjithë dhe jo thjesht me politikën e momentit. Dhe, ndaj politikanët i marrin nëpër gojë dhe i kritikojnë duke i akuzuar. (Javanews)