Mbi 900 mijë shtetas nga Ballkani Perëndimor jetojnë në Gjermani dhe mbi 350 mijë janë në marrëdhënie të rregullta pune, shumica si të kualifikuar. Shifrat zyrtare raportohen nga media e njohur gjermane Deutsche Welle. Referuar të dhënave të Berlinit, analiza e DW rrëzon kështu edhe pretendimet për ‘shpopullimin’ e Shqipërisë. Debat ky i fryrë prej kohësh nga opozita dhe Presidenca në Tiranë.

Në analizë, media në fjalë shkruan se: “Nga 901 110 shtetas nga Ballkani Perëndimor në datën 31 dhjetor 2019, afro 356 338 kanë qenë në marrëdhënie të rregullta pune, ku paguanin edhe kontributet shoqërore. Kjo shifër përbën 1,1% të të gjithë të punësuarve në Gjermani. 81875 prej tyre ishin nga Kosova, duke zënë kështu vendin e tretë pas emigrantëve nga Bosnja-Hercegovina (94 694) dhe Serbia (85 975).

Emigrantët nga Shqipëria (39 329) zënë vendin e pestë pas atyre nga Maqedonia e Veriut (44 916). I fundit në listë është Mali i Zi, i cili në fund të vitit 2019 kishte 9 549 emigrantë të punësuar në Gjermani”. Pra sikundër duket nga të dhënat e Regjistri Qendror i të Huajve, Shqipëria renditet e pesta ndër vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket numrit të emigrantëve.