Të anëtarësohesh në partitë miqve të presidentit Ilir Meta në Kosovë, përfshin në paketë edhe marrjen e nënshtetësisë shqiptare, pa plotësuar kushtet, madje si personalitet dhe aset kombëtar. Ky është një nga kriteret dhe standardet ku është bazuar Ilir Meta, në dhënien e shtetësive të veçanta personave, të cilët Presidenca pretendon se janë heronj, familje dëshmorësh dhe personalitete. Bëhet fjalë për Leonora Recaj nga Kosova, me profesion avokate, të cilës Ilir Meta i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare në emër të interesit kombëtar, me dekret Nr. 11426, datë 10 shkurt 2020. Po çfarë e bëri të veçantë Leonora Recajn për të marrë nënshtetësinë shqiptare si ‘aset kombëtar’, duke vënë në lëvizje Ilir Metën, kur në Kosovë ka me dhjetëra avokatë, të cilët nuk mund të konsiderohen personalitete të kombit?! Pas saj fshihet ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili i ka kërkuar Ilir Metës ta pajisë me shtetësi VIP, ndërsa Meta, nuk është menduar gjatë, duke firmosur qokën e radhës. Haradinaj është vënë në lëvizje pasi Leonora Recajn i është bashkuar partisë së drejtuar prej tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në 23 gusht të vitit 2019. Bashkimi i Recajt me AAK, është komentuar nga vetë Haradinaj, duke e paraqitur si një ngjarje të rëndësishme. “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është parti e vlerave dhe e hapur për idetë e reja kreative, që e transformojnë shoqërinë dhe forcojnë shtetin tonë. Aleanca po merr mbështetje të fuqishme, që dëshmon rritjen e besimit qytetarë në konceptin e saj 100% shtet. Mirënjohje avokates së suksesshme dhe intelektuales, Leonora Rrecaj, që ka zgjedhur t’i bashkohet vizionit të AAK-së”, ka shkruante Haradinaj.

Dhe për Leonora Recajn nuk ka vonuar ‘shpërblimi’. Në 15 nëntor 2019, Konsullata e Kosovës në Tiranë, i përcjellë dokumentet Presidentit Ilir Meta, për t’i dhënë shtetësi të veçantë Leonora Recajt. Dokumentet janë dërguar nga qeveria e Kosovës dhe Ministria e Jashtme. Referuar kërkesës së Konsullatës drejtuar Metës, rezulton se pjesë e dosjes është edhe kërkesa e Ramush Haradinajt për Metën, për dhënien e shtetësisë znj. Recaj. Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Shqipëri i paraqet komplimentet e saj institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe ka nderin të përcjellë dokumentet për shtetësi të Republikës së Shqipërisë për znj. Leonora Recaj. Dokumentet për këtë person janë si më poshtë vijon: Letra e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, drejtuar z. Ilir Meta. Kërkesën për shtetësi. Certifikata e lindje e lindjes. Ekstrat i regjistrit të gjendjes civile. Deklarata për bashkësinë familjare. Certifikatë nga gjykata themelore. Kopje të kartës së identitetit, thuhet në shkresë.

Tre muaj më pas Meta ka firmosur dekretin. Ky është rasti i dytë i dokumentuar nga Shqiptarja.com, ku militantë të partisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, kanë përfituar nënshtetësi shqiptare në formë të privilegjuar, me firmë të Ilir Metës. Rasti tjetër është ai i Valdete Bekteshi, e cila ka marrë shtetësinë shqiptare nga Ilir Meta, me kërkesë të Ramush Haradinajt, me motivacionin se kujdeset vetë për familjen dhe se është militante e partisë së tij. Meta i ka bazuar këto dekrete në pikën 7 të nenit 9 të ligjit të vitit 1998, pikë e cila parashikon që Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar. Në këtë formë Ilir Meta u ka dhënë shtetësinë 419 personave nga Arabia, Afrika, Turqia, Ukraina dhe shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni.

Nga një investigim i Shqiptarja.com, rezulton se 90 % e këtyre personave jo vetëm që nuk janë asete kombëtare, por një pjesë e tyre janë dënuar për krime të rënda dhe korrupsion. I tillë është rasti i Arsim Ramadanit, i dënuar me 30 vjet burg me vendim të formës së prerë për vr asjen e një familje me pesë anëtarë, me të tillëve tre fëmijë. I pazakontë është edhe rasti i futbollistit afrikan të Tiranës, Winnful Essua Joseph Cobbina, i pajisur me shtetësi VIP nga Ilir Meta brenda tetë orëve, duke injoruar zbatimin e protokollove të sigurisë. Kur Meta i dha shtetësinë, Cobbina ishte marrë i pandehur si falsifikator. Investigimi ka provuar se Presidenti Ilir Meta ka shkelur hapur procedurat në dhënien e shtetësive si përjashtim nga ligji, ndërsa ka abuzuar masivisht me pikën 7 të nenit 9 të ligjit, duke kualifikuar si asete kombëtare persona me të shkuar kr imi nale, militantë partie, këngëtarë damash etj. (Shqiptarja.com)