Një tostierë nuk është ndoshta mjeti i përsosur për të nisur biznesin e një pastiçerie, megjithatë është kohë pandemie dhe të gjithë duket se po bëjnë më të mirën me atë që kanë. Edhe ajo çfarë kishin dy artistët meksikanë ishte një tostierë, e cila kushtonte 42 dollarë. “Ishim trokë”, thotë Andrea Ferrero, duke ngritur bërrylat nga një tas me brumë tortash.  “E  kemi blerë me kredi”.

Ashtu si miliona të tjerë të mbërthyer në izolimin ndaj koronavirusit, zonja Ferrero dhe i dashuri i saj David Ayala-Alfonso, nisën pjekjen muaj më parë, për t’i ikur mërzisë. Zbuluan të ishin  të shkëlqyeshëm në të. Kështu hapën një llogari  në Instagram,  quajtur “Cuarentena Baking”, ose “Pastiçeria Karantinë”, ku shfaqnin biskotat, ëmbëlsirat dhe petullat e tyre. Që nga ajo kohë  kanë mbledhur rreth  shumë blerës. Me një ndërmarrje tashmë fitimprurëse, janë zhvendosur nga banesa e tyre e vogël në një vend më të madh –  në një me furrë të vërtetë.

Para se të goditej nga virusi, rrugët e qytetit të Meksikos ishin të mbushura me stenda takosh, njerëz që shërbenin tamales me biçikleta dhe karroca që siguronin patate të karamelizuara apo misra të zier mbushur me majonezë, djathë dhe pluhur djegës. Pandemia dhe mungesa e punëtorëve në qindra mijëra vende pune në të gjithë vendin, ka shtyrë shumë më tepër njerëz në përpjekje  për të promovuar gatimet e tyre të shtëpisë.

“Në Meksikë, kuzhina e dikujt është shtëpia dhe ushqimi i rrugës është shtëpia e dikujt që sillet në rrugë”, thekson  Pati Jinich, një kuzhinier meksikan dhe autor i  një libri me  gatime. “Njerëzit pa burime, mund të përgatitin  ushqimin me të cilin janë rritur  duke e ngrënë apo ua kishin  mësuar – ose vetëm me një përbërës që kishin”.

Nëpër qytet, ka pasur një lulëzim të të ashtuquajturave kuzhina fantazmë – të vendosura sa për t’i bërë vaktet vetëm për furnizim, me përgatitjen e kryer zakonisht në banesa.

Kur ndërmarrja e kateringut së familjes së tyre nisi të kishte probleme, Jonathan Weintraub dhe vëllai i tij Gabriel nisën të promovonin sanduiçe pastrami nën emërtimin  “Schmaltzy Bros Delicatessen.” Pasi u pushua nga puna, Fahrunnisa Bellak e shndërroi prodhimin e ëmbëlsirave në një punë me kohë të plotë dhe tani po hap një dyqan me vitrinë.

E inkurajuar nga bashkëshortja , Pedro Reyes, një autor vaktesh, vendosi të mbyllë  marrëveshje dhe të promovojë macha-në e tij, një salcë përvëluese e mbushur me arra. Ai thotë  se ndërmarrja ka një treg të pastër në Meksiko, vendi ku një pjesë e tepruar e bisedave sillet plotësisht rreth vakteve. “Shumica e njerëzve këtu duan të hanë mirë dhe ata mburren se dinë  ku të hanë”, vëren  zoti Reyes. “Kjo i ndihmon njerëzit të hapen ndaj këtyre bizneseve të vogla, për të qenë në gjendje të thonë: “Unë dua të blej biskota nga ky djalë dhe paella nga ai tjetri”.

Fama e  “Pastiçeri Karantina”  ka shumë të bëjë me llogarinë e saj në Instagram, e cila ofron pamje nga afër të opsioneve  ditore të ëmbëlsirave nga pronarët e  shtëpisë, si mbushje kremi zbukuruar në një brownie apo derdhja në formë e ëmbëlsirave. Në vend që të promovojë  gjëra luksoze, ajo ofron gjëra të përballueshme për xhepin me koston e 1.75 dollarëve.

Në fillim, çifti postonte foto vetëm për miqtë, të cilët u dërgonin tekila ose humus të bërë në shtëpi, si këmbim për mostrat. Pastaj miqtë e miqve filluan të bëjnë porosi.

Dikush kërkoi një meny, të cilën e  shpikën  së bashku me babkas, petulla, brumëra pa maja,  ëmbëlsira dhe brownie. Përveç brumit të thartë, çifti nuk kishte bërë asnjë nga ato ushqime, përpara karantinës. Në fillim, të gjitha përveç ëmbëlsirave, piqeshin brenda tostierës.

Zhvendosja në një vendbanim të ri i ka dhënë çiftit thjesht menaxhimin shtesë për të punuar  në një furrë buke të plotë nga banesa.“Unë planifikoj në mënyrë obsesive”, thekson zonja Ferrero. “Dhe pastaj, kaos”.

Banesa e tyre duket sikur punishtja e Babagjyshit  të ishte vendosur brenda një dhome gjumi.  Kuzhina nxë rehat vetëm katër persona. Hapësira e takimeve është rrudhur në një dhomë tjetër gjumi. Koshi i tyre i plehrave është një stol i kthyer përmbys  me një qese mbeturinash të vendosur mbi katër  këmbët.“A i vendosa vezë kësaj?” (Jo.) “A na mbaroi vanilja?” (Po.) “A duhej që kjo tortë të kishte tre shtresa?” (Duhej). Këto janë pyetjet frenetike të zonjës Ferrero.

Ajo i hedh një sy detyrave të ditës – 61 kavanoza plot tortë, krem ​​dhe biskota të thërrmuara, një shpikje shumë e shitur; 162 kek brownie; 38 biskota; dhe tre ëmbëlsira – dhe merr telefonin për t’iu përgjigjur mesazheve, që përmbytnin inbox-in e saj.

“A mund të vij të marr porosinë tani?”  bën me zë një nga kërkesat, duke iu përgjigjur. “Jo!”

Zonja Fererro, me origjinë nga Peruja, është skulptore, dhe zoti  Ayala-Alfonso, i lindur në Kolumbi, është kurator arti – profesione të tregtuara  të paktën në mënyrë tangjenciale të lidhura me gdhendjen e ndërtesave nga brumi dhe krijimin e një vije tërheqëse në Instagram.

Por shndërrimi i tyre në bukëpjekës të aftë nuk ka qenë pa peripeci. Nisi me një sërë zjarresh në furrë, me dërgesën e  porosive jo të plota ose me vonesë dhe zhdukjen e furnizimit për kekë brownie dhe torta djathi. Vazhdimisht mbeten pa përbërës.

Gjatë muajve të mëparshëm, do të thoshte  Ayala-Alfonso, kanë punuar për të përmirësuar zanatin e tyre, duke kërkuar  në YouTube për video të tipit “si të bëj një tortë”, dhe “pse po bie volumi i tortës sime”  dhe “çfarë është ndryshimi midis sodës së bukës dhe pluhurit pjekës. ” Ata gjithashtu punësuan kohët e fundit një mik artist, Yorely Valero, për të ndihmuar në trajtimin e porosive,  disa ditë në javë.

Ata kanë krijuar një intimitet të veçantë me blerësit. Njerëzit u kërkojnë atyre t’u  shkruajnë shënime dashurie për të dashurit , mbi  paketimet  e kekëve brownie.

Dikush i  kërkoi znj. Ferrero të mos vizatonte  zemrat e saj autografuese  mbi një paketim, që do të dorëzohej si shpërblim i  gjashtëmujorit të lidhjes, sepse mund ta frikësonte të dashurin.  “I thashë: Patjetër, paç fat!”, thotë zonja Ferrero.

“Duke qenë se të gjithë  ndërveprojnë  në mediat sociale më shumë për shkak të karantinës, kështu që njerëzit në të vërtetë flasin me ne”, thekson  z. Ayala-Alfonso. “Llogaria jonë është një linjë mbështetëse”.

Deri në orën dy  pasdite të shtunën e fundit, pasi zyrtarisht fillojnë të shpërndajnë porositë, një turmë e vogël korrierësh dhe blerësish rrinë  jashtë dyqanit “Cuarentena Baking”,  i vendosur është në një rrugë me pemë në Roma Norte, një lagje në jug të zemrës së qytetit. Një zonjë, e cila priste prej 10 minutash, lëshoi ​​një psherëtimë të gjatë dhe një “faleminderit”  të shkurtër, kur  zoti Ayala-Alfonso i dha asaj një fushë me biskota.Gjysmë ore më vonë, vajza i shkroi  në Instagram: “Ia vlente të prisje”.(SI)