Kryebashkiaku i Tiranës dhe drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha sot në Asamblenë socialiste të Njësisë 2, se Lulzim Basha është i pabesueshëm, kurse PD dhe LSI nuk japin asnjë garanci për qytetarët, duke qenë se i tradhtuan votuesin e tyre duke ikur nga Parlamenti. Pasi solli në vëmendje premtimet e kreut demokrat në protestat për Unazën e Madhe dhe Rrugën e Kombit, Veliaj shtoi se çdo protestë e nisur nga PD është lënë përgjysmë sapo është vjelë “gjoba” e radhës.

“Pyetja ime për Lul Bashën është: Premtoi që do të bënte harakiri për Astirin, pse e la protestën? A mori një makinë 130 mijë euro nga një prej kontraktorëve? Unë jam gati ta provoj këtë. Kam fituar çdo gjyq për shpifje. Pra, nëse një nga biznesmenët jep makinë, ai e lë protestën. Pse e la protestën e Rrugës së Kombit? Çfarë mori që e la protestën? Pse e la protestën për Farkën? Sa vila mori tek fshatrat e të pasurve në Lundër? Sa vila mori? Deri dje, ai që bënte vila ishte oligark. Pse i lënë këta të gjitha protestat?”, pyeti Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se Basha e kishte mundësinë për të bërë punë në Tiranë dhe i degjeneroi shumë prej projekteve. “E kishe shansin të përmirësoje dhe s’e bëre. Përkundrazi, i degjenerove shumë prej atyre projekteve, degjenerove mjekësinë, financat, falimentoi shtetin, degjeneruat punët publike, Tirana qelbej erë. Kur shikoj Lulin që doli me atë fletë thashë: Çuno, 2800 ditë në opozitë për të printuar një fletë?! Por, program është ajo që ne shohim, ajo që prekim, ajo që e transformojmë. Unë besoj se shalqi me provë është vetëm PS e Shqipërisë. Me zemër të kuqe, me gojë të ëmbël dhe me rezultat të thellë në gjithë territorin tonë. Ndaj, kudo që të jeni duke bërë fushatë, vetëm bëjeni 360 gradë dhe do keni mjaftueshëm për të thënë ku ka vënë dorë PS”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se PD dhe LSI nuk japin asnjë garanci, pasi ata i tradhtuan votuesit e tyre duke ikur nga Parlamenti. “Çfarë garancie kanë ata që votuan për PD dhe për LSI, që s’do ikin prap? Një votë ke. Ke një shans të marrësh në punë dikë që do të drejtojë dhe nëse e bën njëherë, çfarë garancie kanë votuesit që ata s’do ikin prapë. Ata e lënë lojën në mes. I keni parasysh ata fëmijët në lagje që pasi i ke rrahur, thonë ika: E kuptoni se ne kemi fëmijë në krye të partive të tjera. Ne kemi disa njerëz që në rastin më të mirë flenë gjumë dhe në rastin më të keq ikin fare nga loja. Pse duhet të votojë dikush për PD apo LSI, në momentin që ata e lënë lojën në mes? Pse duhet të votojë dikush Lul Bashën kur ne e provuam në Tiranë”, përfundoi Veliaj.