Në zgjedhjet e 25 prillit do të aplikohet për herë të parë identifikimi i votuesve nëpërmjet teknologjisë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (Ish-KQZ) me anë të Komisionit Rregullator ka votuar me unanimitet miratimin e karakteristikave teknike që do përdoren për identifikimin biometrik të votuesve.

Projektvendimi u relatua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja, Lealba Pelinku.

Kryekomisioneri Celibashi tha se teknologjia ka për synim ruajtjen e votës dhe e të dhënave personale të votuesve.

“Teknologjia në zgjedhje e veçanërisht identifikimi biometrik një nga çështjet më të rëndësishme. Drafti që kemi hartuar është vetëm hapi i parë në realizimin e këtij objektivi, por koha e shkurtër që kemi patur na ka obliguar më shumë për ta paraqitur, pavarësisht ngarkesës. Kohën e humbur do përpiqemi ta përfitojmë me angazhim më të madh. Karakteristikat kryesore që duhet të gëzojë identifikimi biometrik: Sistemi duhet të jetë i mbyllur, pra jo online, që funksionon në mënyrë autonome, të veprojë për çdo qendër votimi, baza e të dhënave që do përmbajë është lista përfundimtare e zgjedhësve dhe do ketë akses vetëm për listën e zgjedhësve të asaj qendre votimi. Në tërësinë e vetë sistemi duhet të sigurojë siguri të plotë edhe për ruajten e të dhënave personale të votuesve. Ky akt do pasohet edhe nga aktet e rregullave sesi do fuknsionojë më pas.” tha ndër të tjera ai.

Pas diskutimeve Komisioni Rregullator në unanimitet vendosi që në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Prill 2021, procesi i identifikimit të zgjedhësve në të gjithë qendrat e votimit (QV), në territorin e vendit, do të kryhet me ndihmën e pajisjeve elektronike.

Në njoftimin e KSHZ thuhet se ”Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

SEIV duhet të ofrojë të gjitha modulet e nevojshme “software” si dhe pajisjet “hardware” që do të mundësojnë menaxhimin e listës së zgjedhësve dhe të dhënat e votuesve, menaxhimin e pajisjeve elektronike të identifikimit, si dhe të kryqëzimit të të dhënave të identifikimit të të gjitha pajisjeve elektronike të identifikimit pas përfundimit të votimit, për të gjurmuar votimin e të njëjtit zgjedhës më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi, në më shumë se një qendër votimi dhe/ose në emër të zgjedhësve te tjerë.

Procesi i identifikimit elektronik duhet të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse kryhet në kushte manuale, dhe nuk duhet të ndryshojë thelbësisht apo të zgjasë a vështirësojë procesin e identifikimit të zgjedhësve.

Gjithashtu, vendimi i miratuar nga Komisioni Rregullator përcakton një sërë karakteristikash teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”.