Portofoli i kredisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) është i mbizotëruar nga kredia në valutë, e cila ka ruajtur një peshë konstante në nivelin 55% në pesë vitet e fundit. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, gjatë vitit 2020, rritja e shpejtë e kreditimit në lekë për këtë segment, ndihmoi në zgjerimin me 2.5 % të peshës së saj. Sipas BSH-së, panorama shfaqet disi më ndryshe në kredinë për korporatat, ku zhvendosja e portofolit drejt kredisë në lekë ka qenë graduale në këto pesë vite. Në fund të muajit shtator, ky portofol përfaqësonte rreth 41% të kredisë për korporatat dhe ishte rreth 1.5% më i lartë se në fund të muajit dhjetor 2019.
Këto dinamika eflektojnë lehtësimin e kushteve monetare, e shprehur në uljen e normave të interesit të kredisë në lekë prej disa vitesh. Gjithashtu, gjatë vitit 2020, kjo zhvendosje është ndihmuar edhe nga prezantimi i skemave të kreditimit me garanci shtetërore
Dinamika e kreditimit brenda grupit të NVM-ve tregon se, gjatë periudhës së pandemisë, është tkurrur dukshëm kredia për bizneset mikro, ndërsa është konfirmuar rritja prej disa vitesh e kredisë për biznesin e mesëm. Në pesë vitet e fundit, bankat kanë zgjeruar gradualisht peshën e kredisë për biznesin me madhësi mesatare, duke ulur në të njëjtën kohë ekspozimin ndaj biznesit të madh. Gjatë vitit 2020, pesha e kredisë për biznesin e madh ndaj totalit të biznesit ka mbetur e pandryshuar nga fundi i vitit 2019, në rreth 52%. Këto zhvillime janë shoqëruar edhe me zhvendosjen e portofolit të NVM-ve drejt kredive me afat të gjatë maturimi. Ndërsa, për kreditë e biznesit të madh, struktura sipas maturitetit ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar.