Nga Rudina Xhunga/

E beson apo jo, kjo është Galeria jonë Kombëtare e Arteve. Edhe mua s’më besohej kur erdha. Një nga oazat më të bukura të Tiranës. E paimagjinueshme e gjitha çfarë pashë këtu. Pata një ndjesi që kur të dal jashtë do të jem në një epokë tjetër, në një kohë tjetër, në një shekull tjetër. Jashtë është pa kovid, jashtë ka mbaruar pandemia. Këtë ndjesi të jep qenia këtu, në Galerinë Kombëtare të Arteve, që mbasi të më shikosh në këtë emision ti do të vish ta shohësh. Por në fillim unë dua të falënderoj shumë, shumë, shumë, drejtorin, Erzenin që më solli dhe më bëri të shijoj kaq shumë. Faleminderit!

Erzen Shkololli: Mirë se erdhe!

Rudina Xhunga: Mirë se të gjeta!

Erzeni Shkololli: Do ta heqim maskën.

Rudina Xhunga: E heqim se nuk dëgjohemi. Në rregull jemi me rregullat, por nuk dëgjohemi fare. Ta vë unë maskën këtu. Sepse është kohë maskash. Unë nuk kam fjalë. S’kam fjalë fare. Nuk di as çfarë të të pyes, përveçse të të them: Çfarë është kjo mrekulli? Si e bëre këtë? Nga dolën këto? Ku jemi këtu?
Më fal dhe një të fundit dhe nuk flas më. Do të flasësh vetëm ti gjithë kohën. Unë udhëtimin e fundit të pandemisë, para se të mbylleshim e kam bërë Santander, me Anri Salën. Një magji, ishte emisioni për Anrin, ku ti e di më mirë se unë çfarë pashë. Mbas asaj dite unë nuk kam qenë asgjëkund. Nuk kam udhëtuar. Ky është udhëtimi i parë jashtë shtetit. Brenda shtetit në fakt. Ky është një moment i mrekullueshëm. Faleminderit, faleminderit, faleminderit! Tani çfarë është kjo?

Erzen Shkololli: Faleminderit për fjalët e mira! Kjo është një pasuri, e cila i përket çdo qytetari të Shqipërisë. Dhe sigurisht, ka qenë e ekspozuar në momente të ndryshme, jo me këtë numër, sidomos pjesa e skulpturës.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Pra këto skulptura janë të gjitha. Ku ishin këto, kur rrinin?

Erzen Shkololli: Në fondin e galerinë. Kjo është vetëm një pjesë e skulpturave.

Rudina Xhunga: S’janë të gjitha që janë ruajtur?

Erzen Shkololli: Jo, absolutisht. Është një sasi e konsiderueshme që kemi nxjerrë edhe do të nxjerrim gjatë gjithë këtij viti dhe vitit të ardhshëm. Që prej momentit që kam ardhur në institucion, domethënë në janar të 2018-ës, më kujtohet shumë mirë një pyetje e gazetarëve që thanë: “Po ti nuk je specialist i realizmit socialist? Në aspektin që një pjesë e madhe e koleksionit tonë i përket asaj periudhe. Si do të qasesh prej artit bashkëkohor, në këtë koleksion?” Sigurisht që përgjigjja ime është: “Jo çdo menaxhues i institucionit është specialist në një koleksion të caktuar. Menaxhuesit e institucionit lëvizin nga institucioni në institucion dhe nga shteti në shtet. Kështu që gjithmonë punojmë me specialistë dhe profesionistë të fushave. Edhe ne nisëm të punojmë nëntorin e kaluar, me ekspozitën “Tirana Pasion”, e cila është në katin e dytë të ndërtesës. Aty ftuam drejtorin artistik të “Dokumenta”, një ekspozitë e madhe në botë që u mbajt në Athinë dhe Kasel.

Rudina Xhunga: Erzen, ndjesë vetëm një moment. Mua m’u duk edhe galeria me më shumë kate tani. Nuk po kuptoja ku isha. Në këtë galeri kam qenë shumë herë, por sot m’u duk shumë e madhe.

Erzen Shkololli: Kemi hapur shumë hapësira.

Rudina Xhunga: Që ishin ëë?

Erzen Shkololli: Po ishin. Gjatë gjithë kohës dhe gjatë çdo ekspozite kemi provuar të krijojmë një hapësirë të re për publikun. Gjithmonë hapësira që ishin prezente. Është një ndërtesë e jashtëzakonshme dhe një inspirim për mua si drejtues që nga dita e parë në një ndërtesë të Enver Fajës, i cili ka bërë një punë të mrekullueshme. Dhe sigurisht jemi munduar që me ekspozitën të kemi edhe një arkitekturë të re, një dizajn të ri, por edhe të hapim një hapësirë të re. E mira e hapjes së hapësirave të reja është sepse kushtojnë më pak sesa t’i ndërtosh. Besoj që kjo na ka ndihmuar shumë që vizitorit t’i ofrojmë një ndjesi të re në Galerinë Kombëtare të Arteve. Siç po bisedoja edhe për “Tirana Pasion”, vendosëm që të punojmë me arkitekten gjermane, ta mbulojmë katin e dytë të gjithin dhe t’i zbulojmë me artistët që do t’i ftojmë të reagojnë për koleksionin. Pse kjo? Sepse besoj që është shumë i rëndësishëm momenti, sidomos periudha e realizmit socialist që gjithmonë është quajtur: “Periudha e realizimit socialist, ose shkojmë të shohim pikturat e realizmit socialist.” Autori dhe artisti shumë pak është përmendur, sidomos nga të rinjtë. Edhe na interesonte shumë, bashkë me kuratorët, njëra nga Kroacia dhe tjetri nga Polonia, të cilët duhet të vinin nga historia e realizmit socialist në shtetit e tyre dhe si janë qasur ata në shtetet e tyre me koleksione të tilla.

Rudina Xhunga: Në të njëjtën kohë?

Erzen Shkololli: Më herët sigurisht tek ata. Por si do të qaseshin ata te ne. Dhe vendosëm që me zbulimin e një pikture, do të zbulojmë autorin dhe jo më periudhën. Kjo qe një nismë sesi do ta rimendonim këtë daljen ose “Arkivin e hapur” të galerisë. Gjithsesi në nëntor nuk u hap ajo ekspozitë për shkak të tërmetit. Dhe tërmeti…

Rudina Xhunga: U bë pjesë e ekspozitës

Erzen Shkololli: Po u bë pjesë e ekspozitës sidomos sepse ato ishin të mbuluara. Si të mbuluara rezultojnë si parapërgatitje dhe mbrojtje prej tërmetit. Por edhe në pandemi ajo mbulesa u fut në përdorim edhe në kontekst tjetër.

Rudina Xhunga: Maska tani.

Erzen Shkololli: Tërmeti, që të mos përqendrohemi te pjesa tragjike dhe humbjeve që pati Shqipëria, që ka qenë një moment shumë prekës për të gjithë ne, për Galerinë përveç dëmeve që ishin dëme jostrukturale, nuk e penguan apo nuk u mbyll si institucion po të ishte i rrezikshëm për vizitorët. Me dëmet, sidomos me ato në korridor që lidh dy hapësirat e koleksionit permanent dhe ekspozitave të përkohshme që ka qenë kjo, ishin skulpturat e qelqit, allçisë dhe ajo pat disa dëmtime dhe ne shfrytëzuam rastin të shpëtojmë këto të qelqit dhe i nxorëm jashtë. Në momentin kur i nxorëm jashtë, nisi dhe gjithë rrugëtimi i “Arkivit të hapur”.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Një rrugëtim që ju e quani “Arkiv i hapur”. Në një moment mua më ngacmoi një pikturë e ndaluar e asaj kohe. Dhe këtë po mendoja, që kjo është jo vetëm e hapur, por është edhe e çuditshme sepse këtu janë çfarë është ndaluar dhe kush e ndaloi. Janë të gjithë bashkë. Shikon edhe Enver Hoxhën në bust. Shikon edhe Sandër Prosin dhe Kadarenë. Shikon edhe Edi Hilën e ndaluar, shikon gjithçka. Madje shikon edhe një gjë më të rëndësishme se kaq. Shikon që po të ikësh nga konteksti ka kaq shumë ngjyra. Unë nuk e dija që jeta jonë ka pasur kaq shumë ngjyra. Ty të vjen si imazh i një kohe gri, bardhë e zi. Dhe kur shikon këto piktura, nuk e di, nuk di ç’të thuash. Sepse vetëm këtë fjalë mund të përsëris unë sot. Nuk e di!

Erzen Shkololli: Mendoj se ajo që po thoni ju, është ajo që kemi dashur të arrijmë ne. Domethënë, kur shihet artisti, piktura, ngjyrat dhe nuk shihet me sy paragjykues momenti kur është prodhuar, për cilën ideologji, pse. Kjo nuk është pika në të cilën është përqendruar arkivi i hapur dhe ekspozita. Besoj se është përqendruar tek artisti dhe kualiteti i punëve që mendoj se janë të mrekullueshme. Pikërisht ashtu siç po e përshkruani ju, të jashtëzakonshme.

Art në kohën e komunizmit!
Rudina Xhunga: Ka radhë. Kjo më bëri përshtypje. Vendosja e tyre ishte një detaj tjetër shumë i rëndësishëm. Jo se të zbrazte nga ideologjia, por pikërisht bënte këtë gjë. Nuk e shfajësonte ideologjinë, por e çtensiononte, e çdramatizonte. Të bën të ndiheshe në art.

Erzen Shkololli: Vendosja është mjaft demokratike, sepse del me vite, domethënë, pikturat vendosen me vite. Është shumë i rëndësishme “Arkivi i hapur” e do të vazhdojmë të nxjerrim vepra të reja. Ekspozita vazhdimisht do të ndërtohet dhe plotësohet, sepse mendoj se është shumë e rëndësishme, sidomos në një vend që ka kaluar një periudhë të gjatë të mbylljes, në shumë aspekte. Mendoj që një transparencë e një pasurie të tillë, por edhe një institucioni si Galeria Kombëtare, qoftë me “Arkivin e hapur”, si kjo e punimeve, qoftë edhe me mundësinë për hulumtues, tekstshkrues, historianë, studentë, momentet që do të bëhen magjistratura dhe doktoratura.

Rudina Xhunga: Por edhe për njerëz të zakonshëm si unë, që thjesht e shijojnë pikturën, skulpturën, artin. Për njerëz që duan t’i ikin kësaj kohë, që s’po ikën. Të vijnë dhe të qetësohen. Nuk e di, vetëm po t’i prekin.

Erzen Shkololli: Për njerëzit e zakonshëm më shumë.

Rudina Xhunga: Të vijnë edhe të qetësohen. Edhe po nuk mëson, ti ndien. Këtë ka të mirë arti. Arti nuk ka nevojë për përkthim, nuk ka nevojë për guidë. Ti mund ta ndiesh, mund ta kuptosh. Si mos e ndiesh buzëqeshjen e këtij portreti. Shih çfarë mrekullie!

Erzen Shkololli: Unë mendoj se është e rëndësishme për qytetarët, rininë, sidomos për rininë që të zbulojë koleksionin. Edhe ndjesia, ato që përshkruat ju në fillim, na intereson shumë, gjithmonë, por edhe në këto kohë që është e vështirë jo vetëm për ne, por për të gjithë botën. Eja një moment në galeri të harrosh të gjitha brengat ditore, ose gjithë ditën që kalon jashtë galerisë. Ky është momenti kur ndalesh dhe e ke vetëm për vete e për veprat e mrekullueshme që sjell galeria.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Kam përshtypjen se një prej arsyeve që je ti që e hape është edhe sepse ti s’ke lidhje me komplekset tona. Kjo është e rëndësishme në art, të mos kesh komplekse. Sepse Shqipëria nuk ka vetëm komplekse nga e kaluara, por ka edhe vuajtje. Duke qenë më i largët ti e shikon si artist dhe jo si një njeri i prekur, apo dëmtuar, apo që do të prekë e dëmtojë. Kështu që, prapë faleminderit që e bëre këtë, sepse është një mënyrë e mirë për të ecur jooymbyllazi në jetën tënde, në të kaluarën tënde. Edhe duke parë nëpërmjet artit. Po të shikosh shumë prej këtyre janë PPSH, në disa vende shikon ideologji, shikon njerëz të asaj kohe që kanë vendosur për fatet tona. Në vende të tjera shikon ngjyra të çmendura dhe të duket sikur ti je në një ekspozitë në MoMA. Nuk të besohet që je në Galerinë e Arteve.

Erzen Shkololli: Po sigurisht. Besoj se ky është një moment që nuk lehtëson qasjen. Prej momentit që unë jam emëruar, mendoj sesi do ta shfaqim koleksionin e galerisë. Sigurisht që distancën që e ke me histori të përjetuara, pavarësisht se jemi afër dhe kemi ditur shumëçka, mendoj që kjo e ndihmon edhe qasjen si ti i qasesh koleksionit. Por, mendoj se është shumë e rëndësishme që secila pjesë, secila vepër e koleksionit, të shihet me distancën e kohës, por edhe me respektin që duhet t’ia japim artistit. Kjo edhe për faktin se, nuk besoj që artistët, por as një qytetar i thjeshtë, zgjedh çfarëdo ideologjie të kohës së caktuar. Besoj që gjithsecili vepron në mënyrën më të mirë të mundshme për të realizuar veprën e tij. Këtu kemi fakte të tilla sa të duash.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Është shumë e bukur vërtet. Vendosja e kohëve afër njëra-tjetrës. Çfarë Jorenim de Rade i mrekullueshëm aty!

Erzen Shkololli: Absolutisht. Skulpturat janë të jashtëzakonshme.

Rudina Xhunga: Ti ke ndjesinë t’i prekësh. Vetëm ju lutem mos i prekni kur të vini, se unë jam gati! Të jep ndjesinë ta prekësh, aq e gjallë është, aq e vërtetë është.

Erzen Shkololli: Është ndjesi e jashtëzakonshme. Secila vepër ka rëndësinë e vet, çka është jotipike edhe pse jemi krenarë që i kemi dhënë secilit medium hapësirën e duhur. Në hyrje kemi karikaturën, në dyqanin e galerisë kemi qeramikën dhe vazot, tapiceritë. Në bibliotekë kemi grafiket, skulpturat dhe pikturat në hapësirë. Domethënë i kemi dhënë respektin e duhur secilit detaj, që e ruajmë në arkiv.

Rudina Xhunga: Jo vetëm ky “Arkivi i hapur” që është hapur për publikun, por galeria në vetvete, që kur hyn, te biblioteka, salla pritëse, te të gjitha ku nuk hyra unë sot të shikoja, është një prej vendeve më të bukura të Tiranës. Po do të ndihesh mirë, eja në galeri! Eja tani, eja me maskë. Eja kur të mbarojë, eja pa maskë. Sepse këtu është krijuar një nga vendet më të bukura të Tiranës. E meritonte na fakt Tiranë të kishte një galeri të vjetër që duket si e re.

Erzen Shkololli: Këtë bisedë e bëjmë gjithmonë me punëtorët e galerisë dhe me kolegët. Që nga fillimi ka qenë ideja që ndërtesën nuk mund ta bëjmë të re, por mundemi ta mirëmbajmë, që të jetë e vjetër, por e mirëmbajtur.

Rudina Xhunga: Dhe ia dolët ëë!

Erzen Shkololli: E vjetër, por e mirëmbajtur. E punuar me dashuri. Besoj se është shumë e rëndësishme të përmendin dashurinë në këtë proces. Sepse gjithë kjo punë, edhe unë si drejtues që normalisht kam një përgjegjësi dhe obligim ta shtyj galerinë në këtë drejtim, por kjo punë, në asnjë moment nuk është bërë pa gjithë stafin dhe profesionistët e galerisë, të cilët e kanë shtyrë çdo moment dhe në një farë mënyrë kanë përqafuar vizionin tim si drejtues për të realizuar këtë proces dhe për të ardhur në këtë pikë.

Rudina Xhunga: Ju lumshin duart dhe mendja të gjithëve, që na dhatë një gjë që na përket në fakt. Kjo është jona, por nuk është e jotja kurrë kur ti nuk e shijon. E jotja bëhet kur ti e shijon.

Erzen Shkololli: Edhe kur nuk e sheh. Kur është larg syve, është edhe larg zemrës.

Rudina Xhunga: Faleminderit që më zgjodhe në një farë mënyre që t’ia tregojmë afër syve dhe afër zemrës, publikut!

Erzen Shkololli: Mendoj se është shumë e rëndësishme që publiku ta vizitojë edhe në kohë të jashtëzakonshme. Galeria i ndjek të gjitha masat e rekomanduara. Lejohet vetëm një numër i caktuar vizitorësh, deri në 20 persona në të gjithë ndërtesën, me distancë, maskë, u matet temperatura. Kështu që në këtë aspekt besoj janë të sigurt dhe si hapësirë, Galeria ofron mjaft hapësirë për të ruajtur distancën njëri me tjetrin dhe të kënaqeni me veprat dhe ndjesinë që jep institucioni.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Ti flet dhe mua më ikën vëmendja, më ndalon në çdonjërën prej tyre. Nuk e di, nuk di ta tregoj kënaqësinë e madhe që ndiej. Kënaqësinë e madhe që ndiej, që ndodhem në një vend të tillë, edhe çfarë fati se do të vij shpesh, shumë shpesh. Do të vij pafund. Kjo është e bukura e vendeve si ky, që ta marrin mendjen dhe ti harron çfarë ndodh jashtë. Prandaj “Shqiptarët e mrekullueshëm” nuk mund të mos e tregonin Galerinë Kombëtare të Arteve. Sepse ky është një vend për shqiptarë të mrekullueshëm.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Kjo është një prej sallave që mua më pëlqen më së shumti. Nuk e di, mbase ngjyrat, mbase ndriçimi i duhur, se ç’ka kjo salla. Ose keni vënë llojin e pikturës që mua më tërheq më shumë. Për shembull, unë nuk e shoh dot vitin, nuk e di kush e ka bërë. Këtu është Sadik Kaceli në ‘84-ën. Këtu nuk e di kush është, por di që kjo ngjyrë duket si në 2020-ën. Nuk më besohet.

Erzen Shkololli: Edhe si sallë e kemi hapur tani. Ka qenë si depo pikturash.

Rudina Xhunga: Ishte depoja.

Erzen Shkololli: Është një sallë që e kemi hapur tani. Sigurisht me një lyerje dhe ndriçim të ri. Ndriçimi i ndez pikturat edhe më shumë. Por kur flasim për ngjyrat, ky është momenti i vetëm i lirisë së tyre. Të shpërthesh në ngjyra.

Art në kohën e komunizmit!
Rudina Xhunga: Jo vetëm ngjyrat Erzen. Mua më bëri përshtypje këtu, se këtu kam ardhur disa herë. Te kjo salla, vija vërdallë gjatë gjithë kohës, më dukej e çuditshme. Shiko çfarë ngjyrash, shiko çfarë mrekullie! 89-ta. Shih çfarë portretesh!

Art në kohën e komunizmit!

Erzen Shkololli: Në moment e harron aktualitetin.

Rudina Xhunga: Harron komplet. Kjo duket sikur je tani. OK, është komplet ideologjia. Ajo është punëtorja, ai tezgjahu. Por ti nuk e beson që je mes këtyre ngjyrave. Nuk të besohet ë, që 83-shi i Kacelit duket sikur është portret i një amerikani.

Erzen Shkololli: Besoj se ngjyra ka qenë e vetmja armë e rebelimit.

Rudina Xhunga: E gjen mënyrën për t’u rebeluar në çdo kohë, edhe për të lënë dëshmi për rebelimin.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Kjo është salla e bërë tani. Kati i tretë.

Erzen Shkololli: Po.

Rudina Xhunga: Uaaa! Pse s’e pashë unë. Kur është bërë? Sot?

Erzen Shkololli: Kjo përfundoi sot, si pjesë e “Arkivit të hapur”. Për një kohë të gjatë kishim ekspozitën e Jan Dibbets, e cila është prapë pjesë e arkivit të galerisë.

Rudina Xhunga: E pabesueshme që ne e kishim atë.

Erzen Shkololli: Ai është një koleksion, i cili iu dhurua galerisë në vitin ’99. Dhe një koleksion me emra shumë të mëdhenj botërore. Dhe Jan Dibbets, artist holandez, i cili atëherë kur ia dhuroi koleksionin galerisë kishte thënë që: “Këtu janë vetëm disa pjesë të koleksionit internacional që unë dua t’i vendos në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë.” Dhe u ekspozuan si të gjitha.

Rudina Xhunga: Ajo u hoq dhe tani është…

Erzen Shkololli: Tani janë të gjithë autorët shqiptarë të koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Këtu e gjitha është vepër arti. Edhe karriget edhe tavolinat. Në këtë vend, e gjitha është vepër arti dhe ty të duket sikur do të thyesh ndonjë gjë po të ulesh. Më pëlqen shumë, më pëlqen shumë, e shijoj shumë edhe po e mbush me fjalë dhe nuk po të lë kohë të fjalës, ndjesë. Ka qenë një prej gjërave që më ka shijuar më tepër në këtë kohë. Kjo lloj shpalosje, kjo vepër arti më vete. E gjitha në fakt, nxjerrja e këtyre veprave arti kuruar në mënyrë të tillë që e gjitha të jetë një vepër arti. Ti vjen nga punë të rëndësishme, je një emër i rëndësishëm. Nuk je thjesht drejtori i Galerisë Kombëtare.

Erzen Shkololli: Po besoj që emër i rëndësishëm është një fjalë shumë e madhe. Por një person i cili gjithë jetën ka punuar dhe i është dedikuar punës në art. Kështu që ky ka qenë qëllimi kryesor.

Rudina Xhunga: Nga të morën dhe të sollën këtu, ku të gjetën? (qesh)

Erzen Shkololli: Po sigurisht që gjithmonë me punën që është bërë më herët edhe si artist, më pas me institucione të ndryshme si galeria e Exit në Pejë, e cila ishte një iniciative e artistëve si unë dhe një grupi artistësh kosovarë, të cilën e iniciuam si program. Gjithashtu udhëheqja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, prej vitit 2011 deri në 2015-ën. Angazhimi im në ngjarje të artit, si konsulenca në ekspozitën “Dokumenta”, në Athinë dhe Kasel, ku besoj se ka qenë një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për mua që punoj në këtë fushë, por edhe një moment i jashtëzakonshëm edhe për artistët shqiptarë pjesëmarrës në këtë ekspozitë. Ekspozitë, e cila mbahet çdo 5 vjet. Ekspozitë që fton edhe pjesën historike të artit, por edhe të gjitha lëvizjet artistike të cilat kanë ndodhur brenda 5 vjetëve. Ekspozitë që vetëm Anri Salën e kishte paraprakisht si artist të ftuar dhe në edicionin e fundit të saj të 14-të, në Athinë dhe Kasel, u ekspozuan më shumë se 18 artistë shqiptarë. Diku 14 artistë të këtij koleksioni shkuan në Athinë, që qe një zbulim i jashtëzakonshëm për skenën ndërkombëtare të artit.

Art në kohën e komunizmit!
Rudina Xhunga: Unë e kam ndjekur Anrin shpesh dhe e kam treguar. E kam dokumentuar këtë fakt. Edi Hilën dua të shkoj ta shikoj tani në Vjenë.

Erzen Shkololli: Është një ekspozitë e jashtëzakonshme në Vjenë, gjithsesi si ekspozitë e cila fatkeqësisht në situatën në të cilën jemi, nuk mund të lëvizim lirshëm që të shkojmë ta vizitojmë. Gjithsesi ekspozitë e ngjashme me format shumë më të madh ndodhi pas “Dokumenta”, që ishte Edi Hila, ndodhi në Muzeun e Varshavës, ku e organizuam bashkërisht me Galerinë Kombëtare të Tiranës. Ekspozita ime e parë në Galerinë Kombëtare të Tiranës, ishte ajo e Edi Hilës që erdhi nga Varshava dhe një pjesë e saj me punë të reja si rezultat i një prej rezidencave më të mëdha që fitoi Edi Hila në Berlin, u përcoll në ekspozitën e Vjenës. Momente të jashtëzakonshme dhe institucione të rëndësishme. Jam shumë i lumtur që kam filluar me ekspozitën e Hilës, në Galerinë Kombëtare, me një artist të jashtëzakonshëm. Tani po punojmë edhe librin bashkërisht me institucionin e Varshavës dhe koleksionin Kontakt të Vjenës, që do të publikohet në nëntor.

Rudina Xhunga: Është një gjë që më ndodh shpesh, kur shoh Anrin apo Edi Hilën, apo Pace në Londër, Vespa-n në Romë. Kam ndjerë një lloj krenarie e të pasurit të këtyre copëzave. Po këtu shikon të gjithë mozaikun. Këtu shikon edhe arsyen nga del ti që je atje! Prandaj kjo është dyfish e rëndësishme. Përtej asaj që mendoj unë që nuk jam profesioniste, dhe mendimi im nuk vlen, ju çfarë mendoni për këtë gjë?

Erzen Shkololli: Unë mendoj që mundësia që ia japim sot jo vetëm vizitorit, por edhe profesionistëve. Por për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, pandemia ka limituar vizitat e profesionistëve ndërkombëtarë që mendoj që janë shumë të rëndësishëm, jo vetëm si turistë, por edhe si profesionistë, ta shohin pasurinë e Galerisë Kombëtare të Arteve, siç patën mundësi me “Dokumenta”, për t’i lëvizur veprat në vendet dhe muze të ndryshme botërore.

Rudina Xhunga: Është e mundur?

Erzen Shkololli: Mendoj që kjo është një platformë që secili profesionist me mundësinë e vizitës mund të shohë se çfarë posedon Galeria Kombëtare e Arteve. Dhe ne si të brendshëm po i shohim veprat në dritë tjetër. Të ekspozuara, të pastruara, në mur të pastër, të kuruara. Besoj që është moment I rëndësishëm jo vetëm për vizitorët, por edhe për ne brenda institucionit. Një mundësi e jashtëzakonshme t’i shoh të gjitha veprat. Sepse në arkivin ku janë të arkivuara, ekspozimi i tyre nuk është i mundshëm.

Art në kohën e komunizmit!

Rudina Xhunga: Si do të vijojë, deri kur do të jetë. Do të dalin të tjera dhe ku rrinë këto të tjerat?

Erzen Shkololli: Janë pjesë tjera që do të hapen me kalimin e kohës. Ekspozita do të jetë çdo ditë, do të ketë vepra të reja që do të shfaqen. Kati përdhese dhe i dyti janë kate të cilat do të mbesin si ekspozita permanente. Hapësira që para tërmetit dhe pandemisë ishte hapësirë e ekspozitave të përkohshme, do të bëhet ekspozite permanente ku janë pikturat dhe skulpturat. Ko hapësirë do të jetë lëvizëse si ajo që po përgatisim, ekspozitë hulumtuese për artistet gra në Kosovë dhe Shqipëri. Është shumë e rëndësishme, besoj që do të jetë vetëm një nismë që do të ketë vazhdimësi. Kemi ftuar dy kuratore Adela Demetja nga Tirana që jeton në Gjermani dhe Ermira Krasniqi kuratore nga Kosova. Gjithashtu kemi bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës, për këtë ekspozitë ku në dhjetor, nëse gjithçka shkon mirë, do të ndodhë në galerinë tonë në Tiranë. Ndërsa në prill ekspozita do të lëvizë në Galerinë Kombëtare në Kosovë. Ekspozita quhet “Synimet” dhe me zor presim të shohim ekspozitën e artisteve gra të dy hapësirave, të një hapësire të përbashkët kulturore dhe që është pjesë e kalendarit të përbashkëti Shqipëri-Kosovë.

Rudina Xhunga: Edhe unë me zor pres ta shoh këtë hapësirë plot edhe pse kur është bosh shijon më shumë, pa maska, por me gëzimin për të njohur, për të ndier, për të kuptuar që arti të mban gjithmonë të bukur, arti të bën të bukur, arti të bën të lirë, arti të bën mirë. Ndaj eja dhe shijoje “Arkivin e hapur” të Galerisë Kombëtare, që sajë Erzenit është një prej oazave më të bukura të kryeqytetit në 2020-ën, e pandemisë. Po këtu pandemi nuk ka, këtu ka vetëm art. Eja!/dritare.net