Lulzim Basha, lideri aktual i opozitës, është politikani më i çuditshëm në hapësirën mbarë shqiptare. Ndonëse nuk ka qënë kurrë njëshi drejtues, s’ia arriti as si kryetar i PD pasi e mbyti hija e Sali Berishës, krimet që ka lënë pas kanë qënë monstruoze. Dhe gjithmonë të pahetuara.

Eshtë prototipi i njeriut që nga pozicioni i varësisë të zbatojë dhe urdhërat më absurde që jep eprori i tij, madje duke tejkaluar dhe urdhërat. Ka bërë gjëma të cilat do të përmenden në analet e historisë si prcedente dhe që do të jenë objekt studimi në të ardhmen. Dhe objekt hetimi, pasi një ditë del e drejta e Shqipëria do ketë drejtësi. Mister mbetet shkollimi i Lulzim Bashës, por dhe përfshirja e tij në përbërje të misionit të hetimit të krimeve të luftës ngaTribunali i Hagës dhe më pas në radhët e UNMIK në Kosovë.

Herë si këshilltar ligjor, pa mbaruar shkollë dhe herë si përkthyes me atribute të mëdha, Lulzim Basha ka lënë gjurme jashtëzakonisht negative në shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan. Nga ish komandantët e UÇK dhe nga një pjesë e politikës dhe e shoqërisë shqiptare Lulzim Basha akuzohet se ka qënë më i egër kundër UÇK se sa vetë eprorët e tij. Firma e tij si këshilltar ligjor dhe përkthyes në këto dosje kundër luftës në Kosovë, është e evidentueshme. E kanë pranuar një gjë të tillë kolegë të tij, analistët aktualë në Kosovë por dhe vetë liderët politikë, pasi ka lënë gjurmë. Në Kosovë kishte dhe një shprehje asokohe për punën e mjekut antropolog peruan që punonte për hesap të Hagës dhe UNMIK, Jose Bablo Bayrabar.

E quanin tregtari i kufomave, pasi me atë punë merrej në Kosovë. I zhvarroste dhe i hetonte nëse kishte gjurmë dhune, plumbash apo elementë të tjerë për të bërë përputhshmërinë e dëshmive të marra andej këndej nga banorët në Kosovë dhe të përkthyer nga Lulzim Basha.

I cili ka qëndruar shumë në grupin që udhëhiqej nga Bayrabar. Kanë ardhur si turistë dhe në Shqipëri, të maskuar si inxhinerë dhe gjeometër rrugësh, për të hetuar për të ashtuquajturat burgje të UÇK-së në Kukës. Shkuan në Bicaj, arritën deri në Fushë-Krujë dhe mbetet i dyshimtë fakti nëse Basha ka qënë bashkë me Bayrabar dhe tek Shtëpia e Verdhë në Gurrë të Matit.

Gjithkund që kanë qënë, janë marrë me dëshmitarë dhe me kufoma. Madje Lulzim Basha akuzohet fort nga Milaim Bellanica, kameramani që kishte filmuar masakrën serbe të Krushës së Madhe në Kosovë, se ka zhdukur dhe kasetën që kishin filmimin e mbi 240 grave, fëmijëve dhe burrave të vrarë nga paramilitarët dhe militarët serbë. Eshtë një akuzë ë fortë të cilës Lulzim Basha nuk i ka dhënë kurrë një përgjigjie të saktë, megjithëse ka ndryshuar shumë herë version. Ndërsa Bellanica qëndron në të tijën, në të vetmin version: kasetën ia ka dhënë Bashës në Kukës, iu prezantua si hetues i Tribunalit të Hagës.

Teksa sheh gjithë aktivitetin e Bashës në Kosovë, ia vlen të theksojmë se nuk i ka dalë keq financiarisht me “tregtinë e kufomave” serbe, të cilat në letrat e kopsitura prej tij dhe shefave të tij, ishin masakruar nga UÇK dhe përbën dhe bazën për akuzën penale për krime lufte ndaj saj. Madje shërbyen dhe si bazë për raportin famëkeq të Dick Marty-t, i cili akuzoi UÇK-në se ka bërë trafik organesh njerëzore. Raport që Sali Berisha e votoi në Këshillin e Europës!

Lulzim Basha, kur pa se rrezikonte të përballej me paudhësitë e tij kriminale në Kosovë, vjen në Shqipëri bashkë me Argita Berisha Malltezin dhe grupin tjetër të Kosovës, që nën mbështetjen e Sali Berishës dominojnë PD dhe vetë qeverisjen e vendit për tetë vite me radhë. Por nga Lulzim Basha u kthye i pasur nga Kosova, “tregtari i kufomave” kishte krijuar një kapital financiar gati 1 milionë euro. Sipas tij me rroga, por ato janë të verifikueshme. Ka dhe shërbime ekstra brenda që të fitojë kaq shumë para. Pastaj kaseta me filmimet e masakrës serbe në Krushë të Madhe u zhduk, e bashkë me të dhe një akuzë e fortë kundër Beogradit. Shmangia e Bashës nga shpjegimet për këto raste tregon se është leku madh në mes, dhe akoma më i madh është dhe maskarallëku që është bërë me hetimin e dosjeve të UÇK në Kosovë.

Tjetër çfarë thotë Ramush Haradinaj se nuk mund të fshihet një kasetë nga ndërkombëtarët, ajo është zhdukur. Bellanica e kërkon me ngulm. Por Haradinaj duket “kaluar”, mendon se pasi ka marrë dy herë pafajsinë në Hagë nuk do thirret më. Të pyesë Fatmir Limajn sa herë është thirrur në Hagë dhe pas pafajsisë. Lulzim Bashës nuk i janë ndarë kufomat as në 8 vitet e qeverisjes së Berishës. Mori 230 milionë euro nga Rruga e Kombit e cila dhe sot e kësaj dite është “kufoma” më e madhe financiare në vend, që merr para nga buxheti i shtetit vit pas viti që të mos “qelbë” dynjanë. Basha si ministër i Brendshëm zbatoi urdhërin e “zinxhirit” komandues të kryesuar nga Berisha dhe u vranë nga Garda e Republikës më 21 janar, 4 demonstrues të opozitës së atëhershme. Me duar në xhepa dhe përballë kryeministrisë, teksa demonstronin kundër qeverisë u vranë. Basha sërish përfitoi nga këto kufoma duke marrë në tavolinë, në një vjedhje të drejtëpërdrejtë votash, postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Tashmë, shtatë vite si kryetar i PD dhe njëherësh dhe në opozitë, pasi i ka provuar të gjitha, që nga protestat e dhunshme, çadra, djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve vendore dhe sulmi ndaj institucioneve, ka vendosur të rikthehet sërish tek kauza e përfitimit politik nga ‘kufomat’.

Për të bërë që të harrohen sadopak akuzat për kopsitjen e dosjeve të UÇK, komandantët e të cilës janë të gjithë në Hagë, Lulzim Basha është “salduar” në derën e morgut.

Gjithë makineria propagandistike e Lulzim Bashës dhe lidershipit të PD, të mbështetur dhe nga doktor “vdekja” Sali Berisha, është angazhuar për të bërë politikë me kufomat që janë në morg. Këtij qëllimi i shërbyen dhe fotot e publikuara nga brenda morgut ku shiheshin trupa të mbështetjellë, me pajisjet personale afër, normale për çdo morg në botë që po përballon një fluks mbi kapacitetin e vet. Asnjë kufomë e pambështetjellë apo lënë pas dore, thjeshtë të vendosura në tokë, me kujdes, por Basha dhe PD kanë si qëllim të tmerrojnë shqiptarët me këto pamje. Bashkë me fotot, lidershipi i PD sulmon dhe mjekët, duke i akuzuar si të papërgjegjshëm dhe duke i paraqitur si monstra para publikut, nën akuzën e fshehjes së vdekjeve. Akuzohen ata mjekë që nuk kanë qënë për 9 muaj në shtëpitë e tyre, për shkak të koronavirusit, shërbimit ndaj pacientëve dhe përkushtimit për detyrën.

Po u rriten fëmijët pa i parë, kanë nisur të ecin pa parë hapat e parë të tyre, apo fjalën e shenjtë “mami” e kanë dëgjuar për herë të parë nga fëmija e tyre vetëm përmes telefonit, pa mundur të jenë aty. Basha nuk ndalet, bashkë me të dhe Berisha e tërë njerëzit që i pasojnë. Këtë radhë Basha kërkon të bëhet kryeministër nga “morgu” direkt dhe pa shpalosur asnjë alternativë qeverisëse. Nëse u bë milioner me ‘kufoma’ në Kosovë dhe dyfishoi milionat në 8 vitet e qeverisjes së PD, ardhja në pushtet nga ‘morgu’ duket si e vështirë. “S’kalon lumi dy herë në të njejta brigje” kanë thënë të parët tanë. Kështu që “kufomat” mund t’i kthehen në bumerang Bashës dhe t’ia shuajnë ëndrrën për kryeministër. Pavarësisht se deri tani nuk ka dalë i humbur financiarisht prej tyre./M.Nikaj-TemA