Aktakuzat e fundit nga Gjykata Speciale dhe kundërshtitë për themelimin e Asociacionit nuk pritet të pezullojnë dialogun Kosovë-Serbi. Pavarësisht dallimeve brenda koalicionit, Qeveria Hoti nuk sheh asnjë arsye të mos e vazhdojë bashkëpunimin me BE-në për zhvillimin e dialogut me shtetin fqinj. E qasje të tillë nga ekzekutivi për vazhdimin e dialogut po pret edhe vet Brukseli zyrtar. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe shoqëria civile e shohin si të paqartë vazhdimësinë e dialogut me Serbinë. Madje në partinë e Albin Kurtit thonëse në këto rrethana politike procesi i dialogut nuk guxon të udhëhiqet nga kryeministri Hoti. Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një përgjigje për KosovaPress thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, pavarësisht zhvillimeve të fundit në vend.
“Dialogu, pas rinisjes së tij në muajin korrik, përsëri po vazhdon dhe po përparon me takime në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik. Udhëheqësit e të dyja palëve – presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti konfirmuan (në një̈ deklaratë të përbashkët më 7 shtator) se ata i japin përparësinë më të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuar nga BE. Duke e pasur të qartë këtë angazhim të përbashkët dhe kuptimi i përparësive, është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën evropiane”, u shpreh Stano për KosovaPress. Në linjë të njëjtë me këtë të fundit është edhe Qeveria e Kosovës që përmes zëdhënëses së saj, Antigona Baxhaku, thotë se nuk ka arsye për pezullim të dialogut. “Në dialogun Kosovë – Serbi, i cili po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Republika e Kosova merr pjesë për të realizuar interesat e veta dhe jo të Serbisë. Kryeministri Avdullah Hoti vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka asnjë arsye për të pezulluar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, zotohet se do të punojë me përkushtim e me ndershmëri për t’i realizuar obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese. Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me të gjithë bartësit e institucioneve dhe me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Baxhaku në një përgjigje për
Por pezullim të menjëhershëm të dialogut po kërkon partneri qeverisës i kryeministrit Avdullah Hoti. Ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi në mbledhjen e djeshme të qeverisë tha se dialogu duhet të ndërpritet deri në një rrethanë tjetër politike. “Si ministër i Drejtësisë, por edhe si qytetar i këtij vendi i deleguar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për dialog, konsideroj se fillimisht Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër. Për më shumë, Dhomat e Specializuara duke pranuar dosjet dhe dëshmitë e fabrikuara nga shërbimi sekret i Millosheviçit që u pa edhe në media dhe përderisa nuk bën të qartë që UÇK nuk është një grup i organizuar kriminal atëherë brishtësia e sigurisë nacionale e Republikës së Kosovës është e shprehur”, tha Selimi.
E mos vazhdim të dialogut nga kryeministri Hoti po kërkon deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili thotë për KosovaPress, se procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga një qeveri që del nga vota qytetare pas zgjedhjeve të reja. “Hoti nuk është person kredibil për të udhëhequr një proces të tillë. Kjo për shkak të faktit se ajo që përfaqëson ai, është një qeveri jo stabile që nuk ka unitet përbrenda. Plus i mungon kredibiliteti dhe fuqia politike për të drejtuar Kosovën në një ballafaqim të rëndësishëm sikur ky i dialogut me Serbinë. Sido që të vazhdojë ky proces ne mendojmë që ai nuk guxon të drejtohet nga një person që i mungon legjitimiteti, i mungon kredibiliteti politik dhe se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë një qeveri legjitime e dalë nga një votë qytetare”, thotë ai.
Ndërsa, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për KosovaPress se pala kosovare duhet të ketë pozicion të qartë se pa njohje reciproke me Serbinë nuk do të ketë dialog. “E ardhmja e dialogut është goxha e paqartë duke pasur parasysh se objektivat për Kosovën dhe Serbinë nga ana e BE-së janë të paqarta. Nuk është e sqaruar mirë se çka nënkupton normalizimi, nuk është sqaruar mirë se cila do të jetë përfundimtarja e dialogut. Pasi nga ana jonë është thënë se duhet njohje reciproke, në anën tjetër Serbia e ka referuar këtë duke futur asociacionin si temë kryesore dhe e dala kryesore nga ky proces që ata dëshirojnë të marrin më shumë. Në kontekstin kosovar këto kritika që i bëhen BE-së besoj që duhet t’i faturohen edhe vetë koalicionit qeverisës, duke marrë parasysh se ka munguar një platformë e qartë se ku dëshiron të mbërrihet me dialogun. Cilat janë temat që duhet të preken, apo jo dhe cila është ajo minimalja dhe maksimalja që pritet nga dialogu. Nuk duhet të amnistohet dhe roli i BE-së dhe paqartësitë e saj në këtë proces. Qeveria e Kosovës është dashur të ketë një pozicion të atillë ku duhet të bëjë një lloj lobimi dhe presioni tek Gjermania dhe Franca ndër të tjera. Të tregohej pozicioni ynë se pa njohje reciproke ky dialog nuk mund të vazhdohet më tej”, thotë ai.
Gjykata Speciale të enjten konfirmoi aktakuzën për disa prej ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Ndërsa, një ditë më parë u arrestua edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Krahas kësaj, dialogu me Serbinë ka hasur vështirësi edhe në themelimin ose jo të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Derisa pala serbe ka tentuar të kushtëzojë vazhdimin e dialogut në zbatimin e kësaj teme, qeveria kosovare ka insistuar se asociacioni nuk do të hapet në kuadër të dialogut, por vetëm do të zbatohen në marrëveshjen finale me Serbinë.