Nga Rudina Xhunga/
Berati është nga një qytetet më të bukura që kemi. Për mua është qyteti i gjyshes. Sa herë që vij këtu, gjej një vend edhe them: “Ka kaluar gjyshja ime te kjo urë? Ka qenë gjyshja ime te kjo kishë?” Këtë ka Berati. Mund të këtë qenë gjyshja jote, mund të vish ti, fëmija yt dhe fëmija e fëmijës tënd. Kaq i vjetër është, kaq i lashtë është dhe kaq i bukur është dhe kaq yni është. Plot me ura, me kisha maje mali, me dritare një mbi një, me historinë unike të kodikëve, me tregime familjesh të mëdha.
Por mbase ne nuk e dimë, nuk e kuptojmë, sa ç’e kuptojnë ata që mbushin këtë vend, që vijnë në verë, përveçse këtë vit, por do të jenë mot patjetër. Do të jenë gjithmonë, të huajt që e kanë vlerësuar dhe çmuar si një prej qyteteve më të bukura të Shqipërisë. Por unë nuk vij për këtë me qejf këtu, por për gjyshen time, për të kaluarën e saj, për lagjen ku ka jetuar dhe është përballë Goricës, është Mangalemi. Por të dyja këto lagje që rrinë e shikojnë njëra-tjetrën më duken njësoj të dashura. Këto lagje që lidhen nga ura e lashte e Goricës. Këto lagje që i ndan lumi i përrallave të mia, përralla që ua ia tregoj tani sime bije, Alanës. (Dritare.net)