Prodhimet bujqësore shqiptare gjithnjë e më tepër po gjejnë vend në tregjet europiane. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi deklaroi sot se eksporti i fruta-perimeve shqiptare është një realitet që flet vetë për transformimin e madh që ka pësuar sektori bujqësor vit pas viti falë politikave tona në mbështetje të sipërmarrjeve private dhe investimeve në infrastrukturën e ujitje-kullimit, që ndihmojnë fermerët anembanë Shqipërisë. Çuçi publikoi foto nga një prej supermarketeve në Sardenja të Italisë, ku në etiketën e produktit shënohet origjina Shqipëri.
“Një miku im në Itali më dërgoi këtë foto teksa ishte duke bërë pazar në një prej dyqaneve në Sardenja pranë lagjes ku banon. Domate të eksportuara nga Shqipëria që shiten gjerësisht në Itali ashtu sikundër i gjen në tregje të tjera në të gjithë Europën”, deklaroi ministri. Ministri shtoi se produktet tona bujqësore janë cilësore prandaj konkurrojnë prej vitesh në tregjet e huaja. Edhe gjatë vitit 2020 pavarësisht krizës së shkaktuar nga COVID-19, eksportet e fruta-perimeve shqiptare kanë rritje dyshifrore krahasuar me vitin e shkuar.
Gjatë nëntë muajve të këtij viti,ministry informoi se kemi eksportuar 18% më shumë në sasi dhe 17% më shumë në vlerë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. “Rritja e eksporteve është shoqëruar gjithashtu edhe me zgjerim në tregje të reja, ku shiten fruta e perime të prodhuara nga fermerët shqiptarë”, tha ai. Me skemën e re të naftës pa taksa që do të aplikojmë vitin e ardhshëm, bëri të ditur ministri do të ulim më tej kostot për fermerët. “Kjo mbështetje do të ketë një impakt të madh në rritjen e mëtejshme të prodhimit bujqësor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve tona. Mirënjohje për ata që punojnë dhe investojnë në zonat rurale. Do të jemi krah tyre për t’i mbështetur hap pas hapi që nga puna në fermë e derisa produkti i tyre të mbërrijë në tregje për konsumatorët”, deklaroi Çuçi.