Numri i fryrë i vdekjeve për shkak të Covid nga ana e Lulzim Bashës, po i kthehet si boomerang politik Partisë Demokratike dhe opozitës. Kjo, jo vetëm se të spekulosh me të vdekurit i duket opinionit publik një strategji makabre për të përfituar avantazhe politike (i rënduar nga përdorimi pa skrupull i fotove të kufomave të bëra në morgun e Tiranës), por edhe sepse, edhe shifrat që tregon Basha konfirmojnë se Shqipëria ka shifrat më të ulëta të vdekjeve nga Covid në rajon dhe ndër më të ulëtat në Europë.
Website Worldmeters mat që nga fillimi i pandemisë të dhënat statistikore të Covid për të gjithë vendet e botës, përfshi dhe të dhënat mbi vdekshmërinë për 1 milion banorë. Sipas kësaj banke të dhënash që merr shifrat drejtpërdrejtë nga autoritetet shtetërore, Shqipëria ka deklaruar deri tani 672 të vdekur nga Covid, me një tregues prej 234 të vdekurish për 1 milion banorë. Basha thotë që deri tani të vdekurit janë 923, dhe në këtë rast treguesi i vdekshmërisë do të ishte 321 (gjithnjë për 1 milion banorë): një diferencë që nuk kuptohet se çfarë vlere politike mund të ketë në strategjinë makabre të Bashës, pasi konfirmon se Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të ulët të të vdekurve shkaktuar nga pandemia.
Marrim shembullin e Malit të Zi, ku treguesi i vdekshmërisë është deri tani 683 të vdekur për 1 milion banorë (dyfishin e Shqipërisë), Maqedonia e Veriut, ku treguesin e vdekshmërisë është 702 banorë për 1 milion banorë, ose Bosnja me një tregues 675. Të dhënat e Shqipërisë, edhe të fryra nga opozita, mbteten më të mira edhe se Franca ku treguesi i vdekshmërisë është 739 të vdekur për 1 milion banorë, se Spanja me një tregues 911, se Hollanda me një tregues 511, se Belgjika me një tregues vdekshëmrie 1322, se Italia me një tregues vdekshëmrie 804, se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fuqia më e madhe botërore, ku treguesi i vdekshmërisë është 785 për 1 milion banorë, dyfishi i Shqipërisë së vogël.
Basha tentoi të manipulonte opinionin publik me sa duket duke llogaritur si të vdekur nga Covid edhe të vdekurit për shkaqe të tjera (pra ishin negativë nga tamponi, por kishin sëmundje të rënda të avancuara) që ndodheshin të shtruar njësoj në spitalet Covid si raste të dyshuara. Basha ka falsifikuar diagnozën e vdekjes të bërë nga mjekët duke e zëvendësuar me një përllogaritje të thjeshtë të ambulancës që trasportonte të vdekurin tek morgu, një falsifikim i trashë i shifrave i përdorur për të terrorizuar opinionin publik dhe për të treguar deshtimin e qeverisë. Në realitet opinion publik mbeti thjeshtë e indinjuar, ndërsa shëndetësia në Shqipëri po çertifikohet edhe nga opozita si një strukturë që po funksionon më mirë se në vende shumë më të zhvilluara. (Shqiptarja.com)