Epidemiologu i njohur amerikan Michael Osterholm dha disa mesazhe të forta sa i përket pandemisë aktuale me koronavirusin, vaksinës si edhe asaj që na pret në vitet e ardhshme. Duke folur për “LaRepubblica” teksa po promovonte librin e tij “Armiku më i keq – Si të fitojmë luftën kundër sëmundjeve infektive dhe epidemive” në Itali, ai dha një lajm të mirë dhe një lajm të keq sa i përket koronavirusit. Lajmi i mirë sipas Osterholm është se tashmë u gjet një vaksinë kundër koronavirusit, kurse lajmi i keq lidhet me faktin se ajo nuk do të jetë e mundur për qytetarët deri në tremujorin e dytë apo të tretë të vitit të ardhshëm.
“Kam një një lajm të mirë dhe të keq. Lajmi i mirë është se kërkimi dhe puna për sigurimin e vaksinave po ecën shumë shpejt, shumë më shpejt sesa imagjinonim. Tani duhet të presim procesin e miratimit, duhet të punojmë mbi proceset e prodhimit dhe shpërndarjes dhe pastaj ne mund t’ua japim atyre njerëzve, dhe unë jam i sigurt se kjo do të ketë një ndikim të madh në pandeminë. Sidoqoftë, lajmi i keq është se ne ende duhet të presim. Unë nuk mendoj ne do t’i shohim tani vaksinat para tremujorit të dytë ose të tretë të vitit 2021 “, shprehet ai.
Por, epidemiologu amerikan bëri edhe një parashikim të zymtë për ata që e pret njerëzimin duke theksuar se pandemia e ardhshme do të jetë shumë më e keqe se kjo që po kalojmë tani. “Nuk mund të them me siguri nëse pandemia tjetër do të jetë më e madhe se kjo, por patjetër që do të jetë më keq. Vërtetë shpresoj që pandemia e ardhshme të mos na kapë të papërgatitur”, shprehet ai.