Ish-mesfushori i Manchester City-t dhe Liverpool-it, por edhe i kombëtares gjermane, Dietmar Hamann, nuk është treguar aspak i butë me Pep Guardiola-n. Në një intervistë të dhënë për Bild, ish-futbollisti është shprehur shumë i sigurt në lidhje me të ardhmen e trajnerit katalanas dhe për vendimet “e pazakonta” të marra nga klubi anglez pas sezoneve të fundit zhgënjyese.
“Besoj se ky do të jetë sezoni i tij i fundit te Manchester City”, ka thënë Hamann në lidhje me të ardhmen e Guardiola-s. “Mendoj se ka mbetur trajner i City-t vetëm për emrin dhe reputacionin që ka. Çdo trajner tjetër do të ishte shkarkuar pas eliminimit të turpshëm kundër Lyon-it në Champions League sezonin e kaluar”.
“Mbaj mend çfarë kanë thënë lojtarët e Bayern-it. Kanë pohuar se pas tre vitesh punë me Guardiola-n ishin të lodhur nga kërkesat e trajnerit”. “Mendoj se skuadrat e Guardiola-s shkëlqejnë për dy ose tre vite, por më pas… Nuk mendoj se mund të ketë përmirësime pas kësaj periudhe”.