Artisti i ndjerë, Koço Devole, përcillet sot për në banesën e fundit, pasi ndërroi jetë 2 ditë më parë për shkak të infektimit me Covid-19. Djali i tij, Genci Devole, ka folur publikisht në “News 24” mes emocionesh për të atin, që ishte shumë i dashur jo vetëm për të, por edhe për gjithë shqiptarët. “Ishte një baba i mrekullueshëm. Një prind i jashtëzakonshëm, prind i përkryer. E adhurojnë mbesat dhe nipërit, bashkëshort i devotshëm. Vepra e tij…. më mungojnë fjalët. Një boshllëk i jashtëzakonshëm”, tha Genc Devole i prekur. Ndër të tjera ai shtoi se babai i ndjerë i ka mësuar të mos bëjë kurrë kompromis, sidomos një artist nuk duhet të ngatërrohet kurrë me politikën.
“Ai besonte se një artist, madje shprehej se; një artist s’duhet të ngatërrohet me politikën që të kujtohet si i tillë. Po i ngatërrove me politikën, do humbasësh vlerat”, u shpreh Devole. Duke i përmendur faktin se Koço Devole u largua nga kjo jetë në një shtëpi me qira, sepse besonte tek drejtësia, djali i tij tha i emocionuar: “Virtyti i kujt është kjo, drejtësia. Mund të jetë virtyt… i drejti mund të jetë (shfryn). Mund ta quajmë budallallëk drejtësinë. Ai është i pastër dhe i qetë me shpirtin e tij”.
Ceremonia mortore për Koço Devolen do të mbahet në orën 13:00 dhe trupi i tij i pajetë do të prehet në varrezat e Sharrës. Artisti i ndjerë luftonte prej 18 ditësh me virusin Covid-19, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua së fundmi, ndaj Devole u fut në intubim. Aktori u shtrua fillimisht në spital si i infektuar me Covid, por pasi tamponi i doli negativ, u shtrua sërish në spital për shkak të rëndimit nga leuçemia. Devole s’mundi ta përballonte dot leuçeminë dhe virusin njëkohësisht, ndaj fatkeqësisht u nda nga jeta duke lënë pas një hidhërim të madh.