Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se rreth 1 mijë banesa individuale do të përfundojnë brenda këtij viti. Gjatë diskutimit të buxhetit për Rindërtimin edhe ecurinë e procesit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ministri tha se Qeveria shqiptare reagoi menjëherë, që në sekondën e parë, dhe se çdo ditë puna vijon intensivisht me përgjegjshmëri maksimale në mënyrë që asnjë qytetar të mos lihet mbrapa. Ministri bëri të ditur se qeveria ka mbështetur procesin e Rindërtimit me një fond prej 34 miliardë lekësh këtë vit, nga të cilat 32 miliardë lekë janë alokuar tashmë në 4 programet e procesit.

“Për ndërtimin e banesave janë akorduar 10 miliardë lekë, për ndërtimin e objekteve arsimore janë akorduar 7.4 miliardë lekë, për grantet për banorët janë akorduar 9.8 miliardë lekë, ndërsa për infrastrukturën publike janë akorduar 2.4 miliardë lekë“, u shpreh ministri. Sipas tij, janë rreth 500 banesa në zonën e Shijakut, Durrësit dhe Manzës dhe 400 banesa në Tiranë që do të përfundojnë brenda këtij viti.

“Ka filluar ndërtimi i pallateve në Durrës. Ndërtimi është avancuar. Procesi i prokurimit po ecën me sukses dhe në të gjithë territorin të gjitha kantieret do të kenë nisur punën brenda harkut kohor të një muaji. Po ashtu, kanë përfunduar me sukses marrëveshjet kuadër. Shuma për të ndërtuar pallatet llogaritet 310 milionë dollarë. Këtu nuk përfshihet fondi për projektet që po zbatohen nga Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, informoi ministri.

Ministri informoi se ka nisur puna për ndërtimin e 2 pallateve në Durrës, ndërsa në Laç, ndërtimi i 524 apartamenteve po vijon me intensitet të lartë. Ndërkohë, ai theksoi se me Emiratet e Bashkuara Arabe është nënshkruar marrëveshja prej 75 milionë dollarësh për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në zonën e Durrësit. Ahmetaj tha se gjatë vitit që vjen, fondi për Rindërtimin llogaritet 28 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022 parashikohet të shpenzohen 6 miliardë lekë. Më tej, ai shpjegoi edhe ecurinë e fondit të akorduar në formë granti për banorët të cilëve u është dëmtuar banesa, por mund të riparohet. Fondet, tha ai, për meremetimin e banesave të dëmtuara lehtë ose mesatarisht llogariten 9.8 miliardë lekë nga të cilat 6 miliardë lekë janë shpërndarë tashmë te qytetarët.

“Përfitues të granteve për meremetimin e banesave llogariten 27 594 familje”, deklaroi Ahmetaj. Sipas ministrit Ahmetaj, janë gati 2 miliardë lekë që janë akorduar nga qeveria për meremetimin e ambienteve të përbashkëta në bashkitë e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Ministri Ahmetaj bëri të ditur se janë 167 shkolla që po rindërtohen, ndërsa disa të tjera janë në proces vlerësimi. Nga këto, donatorët po ndërtojnë 73 shkolla, ndërsa pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.