Pas masave të reja kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, kosovarët janë nisur drejt Shqipërisë për të kaluar fundjavën. Sipas disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale, shihet se në vendkalimin kufitar në Morinë tashmë janë krijuar radhë të gjata të veturave, shkruan Telegrafi. Qeveria e Kosovës nxori dje vendimin që në fundjavë t’u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.
Po ashtu, Qeveria ka vendosur që të fusë në karantinë shtatë komuna: Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen. Në këto komuna ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të dt.06/11/2020 deri në orën 05:00 të dt. 09/11/2020.