Nga Mero Baze

Shqipëria ende nuk ka thyer ndonjë rekord të frikshëm sa i përket bilancit të pandemisë, por ka thyer një rekord botëror sa i takon qëndrimit të politikës ndaj pandemisë. Sot Presidenti i vendit, formalizoi një Komitet paralel antiqeveritar, që merret me COVID, në të cilën bëjnë pjesë Ilir Meta dhe dy vartës të tij në LSI dhe Tritani që hynë në çdo komitet.

Rekordi vlen vetëm si një arritje tragjikomike e politikes opozitare në Shqipëri.

E mira e parë është se Komiteti “Meta-Vasili-Panariti”, është bindur se të drejtosh një komitet në kohë pandemie, është gjë privilegj, pasi te krijon idenë se komandon oraret e lëvizjeve, merr vendime për bizneset që lejohen apo jo dhe mbi të gjitha të krijohet ideja se qytetarët të binden dhe të respektojnë. Kjo tregon se puna Komitetit AntiCOVID të qeverisë ka qenë serioze përndryshe nuk do guxonin ta imitonin.

Paranoja e Ilir Metës se qeveri apo fiton pikë se ka komitet dhe po mban ende gjendjen nën kontroll e ka nxitur të bëj dhe ia një komitet me qëllim që në fund të ndaj me të suksesin. E shikoni Lulin që për çdo masë të qeverisë thotë ua kisha thënë më parë këtë. Është dhe ai një farë vizionari me pesë pika, por që po të mbledhësh gjithë gjërat që thotë “i kamë thënë unë”, i dalin 10.

Një tjetër anë e mirë e këtij Komiteti, është të afërmit e anëtarëve të Komitetit, nuk shkojnë në spitale publike po u sëmurën me COVID, pasi ata u besojnë njerëzve të shtëpisë dhe besojnë vërtet se do vdesin po shkuan aty. Vet Petrit Vasali si anëtar komiteti u shtrua tek spital privat kur u prek nga COVID, por ai dyshonte se do ta vdisnin mjekët se i kishte sharë.

Por mbi të gjitha komiteti paralel i LSI bëri dhe një gjë të madhe, një përmbysje ideologjike në LSI. Detyroi zonjën e parë të pranoj që COVID ekziston bilës pranoi se e ka kapur dhe atë. Zonja e parë e vendit iku ilegalisht deri në Itali e sëmurë me COVID për tu shëruar aty. Nuk dihet nëse ka infektuar njeri në avion apo në radhën e pasaportave por më në fund ajo pranoi se është kuruar në Itali për COVID. Ky është një ndryshim rrënjësor i LSI, parti e cila kishte si kauzë të saj mos ekzistencën e COVID. Pas Kongresit të fundit ky është një ndryshim gati ideologjik, pasi COVID ka prekur dy nga tre udhëheqësit kryesor të LSI, Tit Vasilin dhe Monikën. E vetmja gjë që duhet bërë tani është dhe në padi penale për Zonjën e Parë dhe të hetohet gjurmimi i saj dhe kontaktet në ditët që ka qenë me COVID.

Ndaj Komiteti antiqeveritar i Ilir Metës për COVID, nuk duhet marrë inat, as nga populli as nga qeveria. Por nga ana tjetër nuk po them, që qeveria të bjerë në dashuri me të, duke marrë pjesë dhe në debatet idiote që ai zhvillon, sic bëri sot zëvendësministri i Shëndetësisë. Ai është një institucion që vlen për të kuptuar se si nuk duhet të funksionoj një komitet shëndetësor, pastaj një president dhe një shtet serioz. Kaq mund ta kuptosh edhe duke parë Facebookun e Ilir Metës. Është si ajo data paralele e zgjedhjeve më 13 tetor. Është i njëjti njeri, dhe ka ende të njëjtën diagnozë sëmundje, që nuk ka lidhje me COVID.