Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka rikujtuar sot se në 14 shkurt 2018, Sekretari i Shtetit, në atë kohë Rex Tillerson ka caktuar publikisht ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptar, Adriatik Llalla si person jo i përshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara.
“Vetëm një kujtesë se ky emërtim mbetet në fuqi”, ka theksuar ambasadorja Kim.
Në publikimin e datës 14 shkurt 2018 thuhet se, “Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka përcaktuar publikisht ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptar (Z.) Adriatik Llalla sipas Nenit 7031 (c) të Ligjit të Përvetësimeve të Konsoliduara të 2017 për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Seksioni 7031 (c) parashikon që në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të huaj kanë qenë të përfshirë në korrupsion të madh ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, ata individë dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë nuk janë të përshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit t’i përcaktojë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe anëtarët e familjes së tyre. Përveç Llallës, Sekretari ka përcaktuar publikisht edhe bashkëshorten e Llallës, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmijën tjetër të tij, shtetas jo-amerikanë”.
Ditën e djeshme mediet njoftuan se, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është marrë i pandehur për akuzën e fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë kryer tre herë. Llalla do të përballet me drejtësinë, ndërsa Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka hequr sekuestron preventive vendosur ndaj pasurive të tij.